Kosova

Ibrahimi: S’guxon të shpërfillet vendimi i Kushtetueses për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe


Kryetari i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Kryetari i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nëse krijohet në bazë të direktivave që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese do t’i mbrojë interesat e komunave.

Ai konsideron se nëse nuk përfillen kërkesat e Kushtetuese mund të ndodh që të ketë një qeverisje të re.

“Ka mundësi nëse nuk përfillet kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të kemi një nivel të ri qeverisës, i cili nuk do të duhej të ndodhte ne Kosovë sepse ajo do të bie ndesh me Kushtetutën”.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nëse krijohet në bazë të direktivave që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese po besoj që do të kemi një organizatë e cila do t’i mbrojë interesat e komunave. Në bazë të eksperiencave nuk kemi hasur në një Asociacion, i cili mund të ketë një rol tjetër përveç përfaqësimit dhe ruajtjes së interesave të komunave pa marrë parasysh përkatësinë politike apo etnike”.

Ibrahimi shpreson që gjithçka do të ndodh në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse një mekanizëm i tillë do të ketë vetëm një kompetencë atëherë nuk do të jetë i njëjtë me Asociacionin e komunave të Kosovës pra do të ketë një rol tjetër e cila mund të na dërgojë në krijimin e një strukture të re qeverisëse e cila në Kosovë nuk ka ekzistuar”.

Mitrovica e Veriut.

Sipas tij, institucionet duhet të veprojnë duke u bazuar në vendimet që janë rekomanduar nga Gjykata Kushtetuese.

“Ne po mendojmë që gjithçka që është rekomanduar apo është dhënë nga Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet në plotni dhe nëse respektohen kërkesat e Gjykatës Kushtetuese nuk do të duhej të kishim ndonjë problem”, tha Ibrahimi për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vjet më vonë, të dyja ishin pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore