Shqipëria

Gjykata e Apelit lë në fuqi masën “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të enjten e 29 korrikut, ka lënë në fuqi vendimin për masën “arrest shtëpie” për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota.

Më 4 korrik Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar vendosi ndryshimin e masës nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie”.

Mbrojtja kërkoi ndryshimin e masës për arsye shëndetësore të Prokurorit Sota.

Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të operacionit “Shpirti”, ka arrestuar 28 persona.

Për 24 nga të akuzuarit është dhënë masa “arrest me burg”, ndërsa për prokurorin Maksim Sota dhe tre të tjerët “arrest shtëpie”.

Ky operacion u arrit falë bashkëpunimit të Prokurorisë së Posaçme së Shqipërisë (SPAK) dhe Antimafias italiane. Më herët janë arrestuar 10 persona të tjerë. Në total ishin 38 urdhra arresti.

Si nisi ky operacion?

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Puglia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Kush janë të arrestuarit?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në “arrest shtëpie”.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie.

Mes tyre gjenden edhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këta të fundit në vitin 2016, sipas SPAK-ut, kanë garantuar nga Shqipëria, jo vetëm nga ana tokësore, por dhe detare, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore