Shqipëria

Kishte kandiduar për në SPAK, tani SPAK-u e arreston


Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar mes SPAK-ut dhe Anti-Mafias italiane, është kurorëzuar me arrestimin e disa zyrtarëve në Shqipëri, mes tyre edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie. Në vitin 2019, Maksim Sota kandidoi në garën për SPAK.

Sota e ka nisur detyrën në krye të të Prokurorisë së qytetit jugor në vitin 2010.

Asokohe ai shprehej se kandidon për SPAK sepse beson ajo do të jetë e suksshme nëse do të ketë motivim nga anaëtarët e kësaj strukture në përballje me krimin.

Sota deklaronte gjithashtu se në punën e tij ka dashur dhe ka zgjedhur gjithmonë dosje me peshë dhe të rëndësishme.

Arrestimet

Të premten e 2 korrikut, autoritetet shqiptare kanë zbardhur një operacion ndërkombëtar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, në të cilën janë lëshuar 38 masa arresti.

Operacioni është ngritur kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.

Autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me Drejtorinë e Hetimit Antimafia-s Italiane.

Në zhvillimet operacionale gjenden edhe dekrete për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Këto të fundit përllogariten në disa miliona euro.

Angazhimi i autoriteteve shqiptare përfshijnë SPAK-un dhe Policinë e Shtetit.

Prokurori i Antimafias, De Raho dhe kreu i SPAK-ut, Arben Kraja do të zhvillojnë një konferencë për shtyp në orën 10:30.

Pulia-Shqipëri

Dia Italiane ka sqaruar më herët se trafiku i drogës është zhvilluar në aksin Shqipëri-Pulia.

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, me kontributin e Interpol-it, Criminalpol-it dhe Eurojust-it dhe bashkërendimin e përbashkët të magjistratëve të antimafias së Barit dhe Tiranës, datojnë në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Pulia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Këto të fundit u transportuan nga brigjet shqiptare drejt Adriatikut nëpërmjet skafeve dhe, nga toka, nëpërmjet refugjatëve.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë dhe 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Hetimi gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Nga proceset gjyqësore presin ende verdiktin e tyre 21 të pandehur të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore