Shqipëria

Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullatën, tregon Eurostat


Shqipëria është vendi i dytë në botë me më së shumti azilantë nën 18 vjeç në raport me popullatën, sipas një raporti të fundit të publikuar nga Eurostat.

Normat e emigrimit të të rinjve në Shqipëri në 10 vitet e fundit, kanë kaluar edhe vende që mund të kenë përjetuar luftëra të mëdha, apo përjetojnë diktatura të forta dhe që janë vende shumë të varfra.

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se nga viti 2013 deri në 2023, në vendet e Bashkimit Evropian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18 vjeç.

Nëse merret si vlerë absolute, kjo e bën Shqipërinë të pestën në botë. Por, nëse merret në raport me popullatën e vendit, atëherë e radhit të dytën.

Norma është e tillë, që në vendet e BE-së kanë kërkuar azil 241 të rinj shqiptarë nën 18 vjeç për 10 mijë banorë.

Shqipëria lë pas vetëm Sirinë, që ka 266 kërkesa për azil për 10 mijë banorë. Prej katër vitesh, Siria është e përfshirë në një luftë të ashpër civile, që ka detyruar një emigrim masiv nga vendi.

Ndryshimi gjithsesi mes dy shteteve është i madh, ku situata në Siri nuk ka asnjë lidhje me atë në Shqipëri, teksa e para vuan nga situata lufte dhe një diktaturë e fortë nën sundimin e Bashar al-Asad dhe e dyta, është tashmë në proces negociatash me BE-në.

Përveç Sirisë, Shqipëria ka një diferencë me vendet që e pasojnë në renditje. Eritrea, një vend diktatorial në Afrikë, ka një normë emigrimi 162.3 persona nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, më pas në renditje vjen Gjeorgjia me 100 të rinj azilantë nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, Iraku me 38 azilantë për 10 mijë banorë dhe Somalia me 32.

Ndonëse me një popullsi të vogël ndër vendet e origjinës së emigrantëve, Shqipëria kryeson renditjen globale të azilkërkuesve të rinj në Evropë edhe në numër personash.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë 10-vjeçarit të fundit, 64 mijë e 215 mijë të rinj nën 18 vjeç nga Shqipëria kërkuan azil në një nga vendet e BE-së, duke e renditur vendin të katërtin në botë pas Sirisë (590 mijë), Afganistanit (358 mijë), Irakut (170 mijë) dhe Turqisë (64 mijë), të cilat kanë qenë në luftë (përveç Turqisë) dhe kanë popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.

Flukset më të larta të emigrimit të 18-vjeçarëve shqiptare kulmuan në vitin 2015, kur rreth 22 mijë të rinj nën 18 vjec kërkuan azil në një vend të BE-se, shumica e të cilëve ishin pjesë përbërëse e familjeve, të cilat braktisën vendin në atë kohë.

Flukset ishin të larta dhe mbeten të tilla, por ti krahasojmë me të rinjtë që kanë mbetur në vend. Në vitin 2023, kanë kërkuar azil në BE 2 mijë e 455 persona nën 18 vjeç, duke e renditur vendin të katërtin në botë në krahasim me popullsinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore