Lajme

Lind manifesti i PSE “Kurrë me ECR dhe ID. Përparimi i ekstremit të djathtë është një kërcënim për BE”


Foto e AFP

“Ne kurrë nuk do të bashkëpunojmë apo bëjmë koalicion me të djathtën ekstreme”.

Ky është premtimi i palëkundur për votuesit që liderët politikë progresistë bënë sot në Berlin të Gjermanisë.

Partia Socialiste Evropiane, PSE, do të jetë gjithmonë “një zë i besueshëm dhe i fortë kundër ekstremizmit të krahut të djathtë dhe për demokracinë tonë. Kjo do të thotë që nuk do të ketë asnjë bashkëpunim apo aleancë me ECR (grupi i të djtathtës sovraniste) ose ID (grupi i të djatjtës ekstreme) në Parlamentin Evropian”.
Fratelli d’Italia e Giorgia Meloni-t, FdI është pjesë e ECR-së.

Ky premtim u bë sot në një konferencë të nivelit të lartë të PES-së në Berlin, e cila pa pjesëmarrjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit të PES-së Stefan Lofven, kandidatit të përbashkët të PES-së Nicolas Schmit, Sekretarit të Përgjithshëm të PES-së Giacomo Filibeck, dhe bashkëdrejtuesit të Socialdemokratëve gjermanë, SPD-së Lars Klingbeil, e kandidates Spitzenkandidat (kandidatja për kreun e Komisionit  të Unionit) të SPD-së Katarina Barley, e Sekretarit të Përgjithshëm të SPD-së Kevin Kuhnert, e kryetares suedeze të socialdemokratëve suedezë, SAP-it Magdalena Andersson, e kryetares së demokratëve italianë, PD-së Elly Schlein.

E cila ka postuar videon e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga krerët e PSE-së sot në Berlin në rrjetet sociale. Duke shtuar: “Sot kemi nënshkruar një angazhim të qartë me familjen socialiste evropiane: kurrë aleanca me të djathtën nacionaliste. Mjaft me normalizimin e së djathtës sovraniste. Socialistët evropianë nuk janë të gatshëm të ulen në një tryezë bisedimesh me ata që mohojnë themelet e qëndrimit së bashku në Union”.

Liderët e partive dhe sekretarët e përgjithshëm të pranishëm në konferencë miratuan Deklaratën e Demokracisë së Berlinit, e cila u nënshkrua edhe nga kreu i PSOE (Partia Spanjolle Socialiste e Punëtorëve), kryeministri Pedro Sànchez, lideri i PSD-së së Rumanisë, kryeministri Marcel Ciolacu, kreu i Partisë së Punës të Maltës, Kryeministri Robert Abela, Presidenti i S&D Group Iratxe Garcìa Pèrez dhe shumë të tjerë.

Përparimi i së djathtës ekstreme është helm për demokracinë

Dokumenti hapet me një premisë: “Evropa është e themeluar mbi demokracinë, lirinë, bashkëpunimin e drejtë ekonomik dhe kohezionin social. Ky është një projekt progresi me rëndësi historike, i cili gjatë dekadave ka garantuar paqe dhe prosperitet dhe që na lejon të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku, si evropianë”, shkruhet. “Evropa është modeli më i avancuar i demokracisë transnacionale në botë, me një Parlament të fortë në qendër: Parlamentin Evropian. Përparimi i së djathtës ekstreme është një kërcënim për Bashkimin Evropian dhe për qytetarët e tij, për të drejtat e tyre, për mirëqenien e tyre. Është helm për demokracinë. Aty ku e djathta ekstreme qeveris, të gjitha të drejtat janë në rrezik: ato kufizojnë të drejtat e punëtorëve, sulmojnë lirinë e shtypit dhe sundimin e ligjit, sulmojnë të drejtat e grave dhe përpiqen të fshijnë të drejtat LGBTI. Ata zbatojnë masa autoritare dhe autokratike për të minuar lirinë dhe demokracinë”.

Lidhur me sigurinë, vijon dokumenti, “ata nuk kanë asnjë kredibilitet: janë bashkëpunëtorë me regjimin autokratik rus dhe sulmin e tij ndaj sigurisë evropiane brenda kornizës së BE-së dhe NATO-s. Ideologjia, programet dhe politikat e së djathtës ekstreme janë gjithçka që ne luftojmë. Vlerat e tyre kanë shënuar faqet më të errëta të historisë sonë dhe janë të papajtueshme me tonat”.

PSE

Në të kundërt, PSE-ja “ekziston për të bashkuar njerëzit, jo për t’i vënë ata kundër njëri-tjetrit. Ne luftojmë pabarazitë, ndarjet dhe intolerancën. Ne jemi krenarë që luftojmë për të ofruar një jetë dinjitoze për të gjithë, për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, shoqërinë civile dhe lirinë e shtypit, të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Ne kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha format e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Propozimet tona” thuhet në deklaratë, “janë gjithëpërfshirëse, progresive dhe synojnë t’u ofrojnë një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve duke adresuar problemet që lidhen me pabarazinë ekonomike; Përpjekja për t’i dhënë mundësi të gjithëve, duke investuar në inovacion dhe në përkushtim më të madh qytetar në nivel lokal dhe rajonal”.

Kujtohen protestat e javëve të fundit, me miliona qytetarë që dolën në rrugë kundër të djathtës ekstreme në Evropë.

“Si socialistë dhe demokratë jemi me ta: do të luftojmë për të mbrojtur demokracinë, të drejtat themelore dhe njerëzit më vulnerabël. Ne do të jemi gjithmonë solidarë”, thuhet në dokument.

Për këtë arsye, si PSE, “dënojmë pa apel partitë konservatore dhe liberale që kanë lejuar që partitë e ekstremit të djathtë të vijnë në pushtet, si me koalicione ashtu edhe me marrëveshje parlamentare. Pa bashkëpunimin e tyre kjo nuk do të kishte ndodhur. Dhe nuk duhet të ndodhë më kurrë! Për familjen tonë politike nuk ka asnjë paqartësi:

• Ne gjithmonë dënojmë dhe luftojmë racizmin, ksenofobinë dhe diskriminimin në të gjitha nivelet.

• Ne mbrojmë kohezionin social, drejtësinë dhe solidaritetin, duke mbrojtur grupet më vulnerabël që rrezikojnë të bëhen objektiva të urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës;

• Ne mbrojmë pavarësinë e medias dhe kundërshtojmë me forcë dezinformimin, në mënyrë që qytetarët evropianë të kenë lirinë të informohen në mënyrë të pavarur dhe të formojnë opinionin e tyre;

• Ne mbështesim zbatimin në kohë dhe në mënyrë të plotë të mekanizmit të kushtëzimit të sundimit të ligjit për të siguruar që fondet e BE-së të mos shkojnë për qeveritë autokratike;

• Ne mbështesim reformën e procedurës së nenit 7, për të siguruar që Komisioni dhe Shtetet Anëtare të mund të veprojnë më shpejt në rastet e shkeljeve të rënda të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në të gjitha shtetet e Bashkimit;

• Ne gjithmonë mbrojmë të drejtën ndërkombëtare, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe kundërshtojmë fuqishëm agresionin rus.

Ftesa drejtuar të gjitha partive demokratike evropiane

Dokumenti përfundon me një ftesë për të gjitha partitë demokratike evropiane “të refuzojnë me vendosmëri çdo normalizim, bashkëpunim apo aleancë me të djathtën ekstreme dhe ne presim që ky angazhim të përfshihet zyrtarisht dhe pa mëdyshje në manifestet dhe programet e tyre zgjedhore përkatëse, siç kemi bërë në manifestin e PSE-së dhe në këtë Deklaratë të Lidershipit të PSE-së. Vetëm në këtë mënyrë mund t’u garantojmë votuesve se një barrierë solide kundër së djathtës ekstreme do të ekzistojë edhe pas zgjedhjeve evropiane. Si socialistë dhe socialdemokratë, ne luftojmë për një shoqëri gjithëpërfshirëse, të lirë dhe të barabartë në të cilën të gjithë do të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Këto vlera janë baza e projektit evropian dhe parimet që ne do t’i mbrojmë gjithmonë!”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore