Shqipëria

Përurohet shtatorja më e madhe e Skënderbeut në tokën italiane, nga arbëreshët e San Basile-s


Është një festë e madhe për komunitetin arbëresh në San Basile, ku këtë të shtunë të 4 majit është përuruar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ka qenë presidenti i vendit, Bajram Begaj, ai që ka zbuluar shtatoren e krijuar në Shqipëri si një vepër unike e artistit, Ardian Pepa.

Statuja është afërsisht gjashtë metra e lartë, duke e bërë atë shtatoren më të madhe të Skënderbeut në tokën italiane.

“Sot jemi në San Basile, por ju garantoj se edhe gjatë vizitës sime të parë dhe në të gjitha bashkitë arbëreshe ndjeva një emocion të veçantë. Ka histori, ka kulturë, ka gjithmonë diçka që i bën krenar arbëreshët. Të shohësh fëmijë, të rinj, të moshuar që këndojnë shqip, veshin rrobat tradicionale është diçka e jashtëzakonshme”.

I emocionuar, presidenti zbuloi monumentin kushtuar Skënderbeut, udhëheqësit, patriotit dhe princit shqiptar që udhëhoqi bashkatdhetarët e tij në rebelimin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.

“Ai nuk është vetëm një figurë historike, por përfaqëson identitetin tonë”, tha Begaj.

Prej ditës së djeshme Begaj ka vizituar shumë komunitete arbëreshe, ku u shpall dhe “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë.

Këtë titull, të parit të shtetit, ia dhuroi Pallagorio, komunë në Provincën e Krotones.

Këshilli i kësaj komune, i drejtuar nga kryebashkiaku Umberto Lorecchio , vendosi me unanimet të plotë të nderojë Presidentin e Republikës, me titullin “Qytetar Nderi”, i Pallagorios.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen  e tij më të thellë duke theksuar se , e çmon jashtëzakonisht respektin dhe vlerësimin e tyre. Ju siguroj – u shpreh Presidenti Begaj-që do të vijoj angazhimin tim e të institucionit që drejtoj, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis arbëreshëve dhe shqiptarëve”.

Presidenti Begaj shpallet ‘Qytetar Nderi’ i arbëreshëve të Kalabrisë

Kryetari i Shtetit e cilësoi nderimin e sotëm nga arbëreshët e Pallagorios, “si një nga momentet  në jetë që të shënjon shumë fort,  të lë mbresa të pashlyeshme, por edhe është një përgjegjësi dhe angazhim për të vijuar nismat për Arbërinë”.

Më herët, Begaj mori pjesë në inaugurimin e murales që evokon epokën e artë të Skënderbeut dhe inauguroi ndërtesën e bashkisë së re të komunës së Cerzetos.

“Kur hyra në këtë bashki të re, pikturat me rrugët e ngushta dhe kalldrëme më kujtuan direkt Krujën”, u shpreh Presidenti.

Ai shtoi se është shumë bukur të shohësh se si lidhja shpirtërore e arbëreshëve me atdheun është shprehur edhe nëpërmjet arkitekturës.

“E gjithë kjo, së bashku me ruajtjen e ritit, kulturës, gjuhës arbëreshe, veshjes, është unikale”, vijoi kreu i shtetit. “Ju faleminderit juve dhe paraardhësve tuaj për këtë akt patriotik të jashtëzakonshëm! Vijoni ta trashëgoni te fëmijët dashurinë tuaj për atdheun”.

Presidenti Begaj  i shprehu gjithashtu kryetarit të bashkisë së Cerzetos mirënjohjen për atë që kjo komunë bën për të mirëpritur emigrantë nga vendet me paqe të kërcënuar duke dëshmitar një tipar tjetër tonin, mikpritjen.

Një ditë më parë, ai vizitoi edhe shqiptarët në Kalabri, në komunat e Acquaformosas dhe Lungros në provincën e Kozencës.

Në Acquaformosa është hera e parë që një Presidenti i Shqipërisë zhvillon një vizitë dhe, për këtë arsye, drejtuesit vendor dhe komuniteti e konsideruan ardhjen e Presidentit Begaj një nderim të veçantë.

Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mikpritjen arbëreshe dhe përpjekjet e bëra ndër shekuj për të ruajtur si pasuri të paprekshme trashëgiminë, ndërsa përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kalabrisë dhe Italisë.

Në qendër të qytetit, ku ngrihet dhe busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i bashkisë dhe arbëreshët e Acquaformosas.

Ai vizitoi dhe kishën San Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, një ndër më të rrallat në rajonin e Kalabrisë.

Ndërsa nga Ungra, ndalesa e radhës e kësaj vizite, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkim, sipas porosisë së Gjergj Kastriotit, siç u shpreh ai: “Po te jemi bashkë, asgjë nuk na thyen. Po të jemi të ndarë, edhe një fëmijë na mund”.

Presidenti Begaj vizitoi Eparkinë e Lungros, ku bisedoi me ipeshkvpin, Imzot Donato Oliverio të cilit i shprehu vlerësimin për rolin e jashëtzakonshëm që ka luajtur kisha në mbrojtjen e vlerave tona identitare.

Gjatë takimeve me drejtuesit vendor, komunitetin arbëresh dhe klerikët e komunave të provincës së Kozencës, Kreu i Shtetit theksoi nevojën e  intensifikimit të marrëdhënieve, shkëmbimit të vizitave mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Së pari, është detyrimi im si President i Republikës së Shqipërisë për t’ju shprehur mirënjohjen time dhe të të gjithë popullit shqiptar për atë çka bëni për ruajtjen e identitetit tuaj. Të parët tuaj, pasardhës të Skënderbeut, ikën nga viset shqiptare jo për shkak të dëshirës për t’u larguar nga atdheu, u larguan nga atdheu i tyre për shkak të pushtuesit dhe erdhën dhe gjetën një derë të hapur këtu në Italinë mike”.

Kreu i Shtetit premtoi vijimin e angazhimit të përbashkët për ruajtur dhe promovuar atë çfarë është përcjellë deri tani nga arbëreshët, gjuhën në veçanti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore