Shqipëria

Të arrestuarit e “Shpirtit” me masë sigurie, Prokurori Sota me “Arrest Shtëpie”


Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë masën e sigurisë për 28 të arrestuarit e operacionit të koduar “Shpirti” .

Për 24 nga të akuzuarit është dhënë masa arrest me burg, ndërsa për prokurorin Maksim Sota dhe tre të tjerët, arrest shtëpie.

Në dosjen e publikuar nga SPAK, shkruhet se dëshmitarë të ndryshëm kanë ndihmuar në zbulimin e këtij grupi kriminal.

Në dosje përfshihen përgjimet e grupeve kriminale dhe dëshmitë e të penduarve.

Një nga këto të fundit, Donjol Drolli, ka dëshmuar se prokurori, Maksim Sota, i arrestuar tashmë, kishte dijeni që Ilirjan Ducellari ishte i përfshirë në trafik droge dhe pavarësisht kësaj ai ka qëndruar në banesën e siguruar nga ai.

Kundër prokurorit Sota, ka folur edhe një tjetër i penduar i drejtësisë, Mariglen Shusha.

Kërkesa e mbrojtjes e Prokurorit Maksim Sota

Këtë të dielë është bërë publike edhe kërkesa mbrojtëse që Prokurori Maksim Sota, i ka depozituar Gjykatës së Posaçme.

Në këtë kërkesë, prokurori Sota, nuk pranoi asnjë nga pretendimet e nxjerra nga i penduari Donjol Drolli.

Ky i fundit kishte thënë se kreu i bandës kriminale, Ilirjan Ducellari, i kishte siguruar prokurorit një shtëpi me qera.

Emri i Sotës, u bë i njohur gjatë arrestimeve që pësuan operacionin ndërkombëtar “Shpirti”, ku u arrestuan 28 persona nga 38 urdhra-arreste.

“E nderuar zonja gjyqtare, pavarësisht këtij arsyetimi ligjor, dua të deklaroj dhe të ndalem në rrëzimin si të pavërteta të pretendimeve dhe dyshimeve lidhur me “lidhjen” time me këta persona nën hetim apo supozimit për qëndrimin tim në një banesë me qira të paguar nga ata dhe konkretisht”, shkruhet në kërkesën e mbrojtjes së Sotës.

Ndër të tjera, ai liston dhe arsyet mbrojtëse të argumenteve të tij, duke bërë ndarjen e fjalës “njohje” dhe “lidhje”.

“E para ka një ndryshim të madh midis fjalëve “lidhje” dhe “njohje” midis dy apo disa personave; Në rast ekziston një ‘lidhje’, atëherë ka marrëdhënie reciproke në mënyra dhe forma të ndryshme midis këtyre personave, të cilat normalisht duhet të evidentoheshin në vendimin e gjykatës;

“Në rast se flasim për ‘njohje’ midis dy apo disa personave, ka një ndryshim të rrënjësor me rastin e një lidhje midis tyre”.

Lidhur me pretendimin e përdorimit/qëndrimit të prokurorit në një banese të paguar nga personat nën hetim, ai u shpreh se ky fakt është tërësisht i pavartetë sepse ai jeton në banesën e familjes së tij në fshatin Zhym të Lushjës. Gjithashtu ai shtoi argumentin se i vetmi apartament ku ka ndenjur përveç shtëpisë së tij ka qenë një banesë në emër të vëllait të tij, e cila ndodhet në hyrjen e lagjes Plazhi i Vjetër, pranë Portit Detar Vlorë.

Në bazë të arsyetimeve të mësipërme dhe faktit që nuk provokohet 100% fakti që prokurori ka rol kyç në grupin kriminal, ka kërkuar revokimin e masës së sigurimit personal “Arrest në Shtëpi”.

Operacioni “Shpirti”

Mëngjesin e të premtes falë operacionit ndërkombëtar “Shpirti”, u arrestuan 28 persona nga 38 urdhra-arreste. Përfshirë këtu një prokuror dhe një ish-oficer policie.

Ndërkohë dhjetë persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal janë arrestuar më herët.

“Është hetuar dhe vërtetuar i gjithë zinxhiri i trafikut të drogës. Ku është evidentuar dhe u provua përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publikë duke favorizuar këtë aktivitet”, bëri me dije kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja.

Po ashtu Kraja shtoi se, falë finalizimit të këtij operacioni “janë evidentuar dhe sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajshtme. Si dhe aktivitete tregtare me vlerë miliona euro”.

Nga ana tjetër, kreu i Prokurorisë Kombëtare të Anti-Mafias dhe Anti-Terrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, deklaroi se ky operacion u shtri në katër shtete. Ku pjesë e saj ishte dhe Shqipëria.

Kush u arrestua?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane, është kurorëzuar me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve është bërë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu është arrestuar Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie. Në vitin 2019, Maksim Sota kandidoi në garën për SPAK.

Autoritetet shqiptare kanë zbardhur operacionin ndërkombëtar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, në të cilën janë lëshuar 38 masa arresti.

Operacioni është ngritur kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore