Shqipëria

Projekt pilot për pagesat elektronike, Rama: Eviton evazionin nga bizneset


Një projekti pilot për pagesat elektronike është prezantuar këtë të hënë të 20 majit nga kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Rama u shpreh se kjo mënyrë e të blerit ju jep avantazh konsumatorëve edhe bizneseve.

Projekti pilot do të testohet nga fatura e kafes e deri te pagesat utilitare si drita, ujë, gjoba etj.

Projekti synon të lehtësojë procesin e pagesave dhe të promovojë përdorimin e teknologjive moderne në shërbimet financiare.

Përmes kësaj iniciative, qeveria shqiptare dhe institucionet financiare synojnë të ulin përdorimin e pagesave me para fizike, të rrisin përdorimin e teknologjive digjitale, të promovojnë inovacionin në sektorin financiar dhe të përmirësojnë përfshirjen financiare për të gjithë qytetarët.

Deri në korrik të këtij viti të gjitha bankat do të krijojnë akses për një gamë më të gjerë të pagesave online.

“Konsumatorëve ju jep avantazh. Kjo bën që të mos ketë evazion nga ana e bizneseve për TVSH, plus ka të mirën që s’ka komision, është më e lirë se përdorimi i kartës apo transaksionet që bëhen nëpërmjet bankës”, u shpreh Rama.

Më tej, ai theksoi se me planin e ri të BE-së, ka besim se brenda këtij viti do të ketë transferta nga BE në Shqipëri pa kosto ekstra.

“Me planin e ri të BE, besoj brenda këtij viti edhe transferta nga BE në Shqipëri nuk do të kenë koston ekstra që kanë tani dhe janë dhjetëra milionë Euro që kursehen për njerëzit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore