Lajme

Drejtori i Policisë: Armatimi i sekuestruar u përdor edhe më 29 maj në sulmet ndaj KFOR-it


Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se armatimi që është sekuestruar deri tani nga Policia e Kosovës, përveç që është përdorur në sulmin e 24 shtatorit në Banjë ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku, i njëjti ishte përdorur edhe në sulmin e 29 majit ku mbetën të lënduar pjesëtarë të KFOR-it.

Hoxha, ka pohuar se është një arsenal jashtëzakonisht i madh i armëve që janë sekuestruar.

“Ekziston lidhja mes këtij armatimi që është sekuestruar tani dhe armatimit, bombave që janë përdorur me sulmet ndaj KFOR-it me 29 maj. Prodhimi i njëjtë është i bombave si i atyre që janë gjetur me 29 maj dhe të atyre që janë gjetur më 24 shtator”, ka thënë Hoxha për Radio Evropën e Lirë.

“Disa prej armëve dhe pajisjeve që janë konfiskuar janë të prodhimit rus, këtë mund ta konfirmojmë”.

Lëndimi i njërit prej ushtarëve të KFOR-it, me 29 maj.

Ai gjatë një interviste për Radio Evropën e Lirë, kur e krahason situatën aktuale me atë që dominoi para një jave në pjesën veriore thotë se është më e qetë dhe se normalizimi i gjendjes atje ka filluar.

“Situata që mbretëron në pjesën veriore të Kosovës, mund të themi që situata është me e qetë në krahasim me ditët dhe javën e kaluar”.

“Ka filluar normalizimi i gjendjes atje, mirëpo shqetësim mbetet pjesa rreth kufirit ku vërehet që ushtria e Serbisë dhe organet e sigurisë së Serbisë kanë akoma një numër të madhe të dislokuar të personalitetit e po ashtu edhe të mjeteve luftarake, ushtarake”.

“Policia po punon në disa drejtime për zbardhjen e rastit të 24 shtatorit”

Ai tutje ka sqaruar drejtimet në të cilat janë duke punuar tani, sepse situata akoma nuk është qartësuar teksa hetimet janë duke u zhvilluar në shumë pista.

“Sa i përket situatës brenda Kosovës ne jemi duke vazhduar punën. Operacioni i krehjes së terrenit është duke vazhduar po ashtu hetimet janë duke u zhvilluar në shumë pista për të dokumentuar atë që ka ndodhur”.

Sipas tij, primare duhet të jetë analizimi i armatimit, lidhja e grupeve terroriste, pastaj se si janë bërë planifikimet.

“Aktualisht ne jemi disa duke punuar në disa drejtime. E para është që të analizojmë gjithë këtë lloj armatimi, të analizojmë lidhjet e grupeve terroriste kriminale në mes veti, pastaj planifikimet se si kanë ndodhur dhe dëshminë e të gjithë asaj ngjarje se çfarë ka ndodhur”.

Drejtori i Policisë në Banjë.

“Emrat e terroristëve s’mund t’i bëjmë publikë akoma”

Ai thotë se një numër i personave që kanë marrë pjesë në sulm janë identifikuar, por që nuk mund të bëhen publikë për shkak të hetimeve që po zhvillon Policia.

“Kemi emra, por aktualisht nuk mund t’i bëjmë publikë. Policia e Kosovës, ka arritur t’i identifikojë mbi 30 persona që kanë qenë aktiv me 24 shtator, për persona të tjerë nuk mund të flasim tani as për shifrën, po ka dyshime për mbështetje. Ka një numër mjaft të madhe të identifikuarve dhe po vazhdojnë hetime”.

I pyetur se a ka pasur ndonjë marrëveshje mes Policisë së Kosovës për lirimin e korridorit që iu mundësua terroristëve të largohen, ai ka mohuar akuzat e tilla duke thënë se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që edhe ata të dorëzohen.

“Jo, asnjë marrëveshje dhe as një komunikim me qëllim të lirimit të korridorit me qëllim të lirimit të grupit nga fshati Banjë që u larguan s’ka pasur as tentativë të tillë nuk ka pasur”.

Foto: NY Times

“Ne kemi komunikuar disa herë që ata të dorëzohen tek autoritetet e Kosovës, por ata s’kanë dëgjuar. Kemi tentuar disa herë që ata të dorëzohen, por kërkesat tona nuk janë pranuar”.

Për shkak të terrenit malor, e po ashtu të thyer Hoxha thotë se atyre iu mundësua që të largohen.

“Mënyra se si kanë arritur ata të largohen nga manastiri dhe pjesa e Banjskës është sepse terreni është shumë i thyer dhe malor. Ajo çka publiku ka parë janë video të siguruara nga perspektiva e ajrit, në realitet është e pamundur që çdo mundësi e ikjes të bllokohet sepse terreni është shumë i vështirë”.

“Kufijtë e Kosovës me Serbinë, përfshijnë një vijë kufitare më 380 kilometra, është e pamundur që gjithçka që lëviz në këtë kufir të monitorohet”.

“Bashkëpunimi i Policisë me KFOR-in më 24 shtator, më i miri deri tani”

Bashkëpunimin me KFOR-in, drejtori i Policisë e ka quajtur si më të mirin deri tani.

Ai u shpreh se niveli i komunikimit ka qenë i përmasave mjaft të mira, teksa po punojnë që të përmirësojnë akoma më shumë këtë komunikim.

“Nga momenti që kemi kuptuar për atë që ka ndodhur i kemi koordinuar veprimet dhe mendoj se është njëri ndër bashkëpunimet më të mira që kemi pasur, atë ditë niveli i komunikimit ka qenë jashtëzakonisht i mirë, sigurisht që mund të jetë edhe akoma më i mirë pasi të gjithë jemi të interesuar për siguri”.

Ai shton se Policia është duke bërë përpjekje në bashkëpunim me KFOR-in që të mbyllen edhe disa rrugë të tjera ilegale.

KFOR-i në Veri.

“Ka potencial për kërcënim ajo çfarë ne po bëjmë është që po punojmë shumë që ta avancojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me KFOR-in, veçanërisht gjatë vijës kufitare me Serbinë”.

“Kemi rritur kapacitetet, jemi duke punuar që disa nga rrugët ilegale të mbyllen në mënyrë që t’u pamundësohet grupeve kriminale të hynë përmes tyre”.

Kurse, deklaroi se në mesin e terroristëve ka pasur pjesëtarë edhe të organizatave që janë shpallur terroriste nga institucionet e Kosovës.

“Janë dy organizata terroriste “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”, shumë prej këtyre njerëzve që janë pjesë e këtyre formacioneve i kemi të identifikuar dhe jemi duke punuar që ta shohim rolin e tyre edhe në këtë ngjarje por edhe në ngjarjes mëhershme”.

“Do të hapim konkurs të ri për të punësuar pjestarë të komunitetit serb”

Hoxha, thekson se njësia speciale është e pranishme aty aq sa është e nevojshme duke kumtuar lajmin se në fillim numri i tyre ishte zvogëluar, por pas sulmit që ndodhi janë detyruar që sërish ta rrisin atë.

“Njësia speciale është prezentë aty aq sa është e nevojshme dhe realisht ne kemi pasur një ulje të prezencës së njësisë speciale atje për shkak të marrëveshjes që ishte mes Qeverisë së Kosovës dhe negociatorëve të BE-së, mirëpo pas sulmit të 24 shtatorit është rritur prezenca policore”.

Ai ka kërkuar që edhe qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, duhet të ndjehet të sigurt pasi që qëllimi i tyre është që t’u ofrojnë siguri edhe atyre.

“Ne mund të garantojmë që qëllimi i Policisë së Kosovës nuk është për të kërcënuar apo shantazhuar qytetarët ata janë qytetarë të vendit tonë dhe punën e bëjmë me vullnet për të u siguruar edhe atyre siguri. Qëllimi ynë është që sa më shpejt të komunikojmë edhe me qytetarët atje që t’i bashkëngjiten Policisë së Kosovës”.

Pjesëtarë të komunitetit serb në veri duke zhveshur uniformat pasi dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Për këtë arsye ai thotë se do të hapin edhe një konkurs të ri në mënyrë që t’u mundësohet punësimi edhe komunitetit serb në Policinë e Kosovës.

“Ne po e bëjmë të pamundurën tani akoma e kemi një konkurs të policisë në proces, sërish do të punësojmë policë të komunitetit serb. Ne do të vazhdojmë të punojmë që sa më shumë policë serb t’i kemi në radhët tona, do të përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore