Lajme

“Ka sasi edhe më të mëdha” – S’i u fut gjithë ai arsenal i madh armësh në Kosovë dhe përse nuk u hetua as nga KFOR-i as nga Policia?


Foto: Albanian Post.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë edhe një polic i Kosovës çoi në gjetjen e një arsenali të madh armësh të kontrabanduara në Kosovë.

Në përmasa tejet të mëdha, policia më pas gjeti raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e shumë armë të kalibrit më të vogël.

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti kapin vlerën e mbi 5 milionë eurove.

Ekspertë të sigurisë dhe fushës së terrorizmit, konsiderojnë se ka akoma shumë armë të cilat nuk janë gjetur e të cilat kanë hyrë për vite me radhë në Kosovë.

Megjithatë, pjesa më e madhe që është gjetur deri tani i takojnë prodhimit të vitit 2021.

“Armatimi është prodhim i 2021”

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, thotë se hyrja e të gjithë këtij armatimi në Kosovë, u bë me mendimin se mund të ndryshohet realiteti.

Dugolli, në një bisedë për Albanian Post, deklaron se mbetet në organet e hetuesisë që ta zbulojnë se si ka hyrë gjithë ky armatim.

“I gjithë armatimi ka treguar qartë që grupet kriminale kanë ardhur për të luftuar në atë pjesë të vendit me Policinë e Kosovës, me organet e rendit dhe me mendimin që ata mund ta ndërrojnë realitetin në Kosovë”.

“Si kanë hyrë, si kanë depërtuar, me siguri që hetimet do ta zbardhin. Megjithatë, është shqetësuese se si një pjesë e armatimit kaq e madhe ka hyrë duke e pasur parasysh që edhe KFOR-i ka përgjegjësi për monitorimin e asaj pjese”, thotë Dugolli për Albanian Post.

Foto: Policia e Kosovës.

Ai thekson se i gjithë ky arsenal i armatimit që u prezantua në dy ditët e fundit i takon vitit 2021.

“Ato janë prodhim i 2021-ës, që i bie se ato armë kanë ardhur nga depot e ushtrisë së Serbisë, që është argument i pamohueshëm dhe nuk mund t’i iket këtij fakti”.

Sipas tij, edhe pse janë mbyllur shumë rrugë ilegale pjesa ku ndodhen sulmet është malore dhe është tejet e vështirë që të menaxhohet edhe nga KFOR-i edhe nga Policia e Kosovës.

“Jemi të vetëdijshëm se ajo pjesë është një pjesë malore dhe është shumë e vështirë të kontrollohet në detaje e në çdo kohë”.

“Pavarësisht që Policia ka mbyllur shumë rrugë ilegale ku mundësohej kontrabanda, por është një perimetër shumë i gjatë dhe vija kufitare është e gjatë dhe si duket i kanë shfrytëzuar ato rrugë”.

“Gjithsesi, është punë e organeve të hetuesisë që të zbardhin këtë rast”.

“KFOR-i është në dijeni se çfarë hyn në Kosovë, me dëshirë s’vepruan” 

Edhe eksperti i sigurisë dhe terrorizmit Hysen Gashi, pretendon se ka akoma edhe një sërë arsenal të armatimit që nuk është gjetur, e që ka arritur të hyj për vite të tëra.

Gashi, në një përgjigje për Albanian Post shprehet se institucionet duhet të fillojnë dhe të mendojnë se cila është sasia e armatimit që ka hyrë brenda në Kosovë.

“Personalisht, mendoj që kjo është vetëm një pjesë e armatimit që është zënë dhe institucionet duhet të mendojnë se sa mund të ketë armatim që ka hyrë në Kosovë dhe për të cilat ne nuk jemi në dijeni”, thotë ai për AP.

“Armatimi s’ka hyrë që një vit, por që një kohë të gjatë veçanërisht vitin e fundit, pas tërheqjes së Policisë së Kosovës”.

Prej të gjitha pyetjeve që s’kanë përgjigje, ai pohon se vetëm diçka deri tani është e ditur.

KFOR-i.

Prodhimi i armatimit, mënyra e paketimit, pozicionimi i tyre të gjitha këto sipas Gashit, tregojnë se është dikush i fuqishëm prapa të gjithë kësaj që ka ndodhur.

“Një gjë dihet që ai armatim i atij kalibri nuk ka asnjë mundësi që të hyj nga persona të cilët nuk janë të organizuar dhe nga persona që nuk janë mbështetur nga shteti ose ndonjë organizatë shumë e fuqishme nga grupet terroriste”.

“Po ashtu shihet edhe koha e armatimit kur është prodhuar, shihet mënyra si janë paketuar, të rregulluara”.

“Të gjitha këto të lënë të kuptojnë se ekziston dikush shumë i fuqishëm prapa gjithë kësaj”, deklaron Gashi për AP.

Ai shprehet i pakënaqur edhe me veprimet e KFOR-it, duke theksuar se mënyra se si kanë menaxhuar bën që të kuptohet se ka pasur mundësi të lëvizjes në atë pjesë.

Mendimi i tij personal është që KFOR-i, ka mundur të jetë i informuar për një pjesë të armatimit që është duke hyrë në Kosovë.

Por, që ka refuzuar të marrë veprime.

“Veprimet e fundit të KFOR-it kanë treguar që mundësia e lëvizjes në atë pjesë ka qenë shumë e lirë, sepse KFOR-i ka pasur vijat e caktuar, kohën e caktuar. Unë jam i bindur se ata e kanë ditur çdo gjë, çfarë hyn pak a shumë, por që veprimet s’kanë dashur t’i marrin”.

Çka ndodh me armatimin e sekuestruara nga Policia e Kosovës?

Armët të cilat u sekuestruan nga Policia e Kosovës, fillimisht do t’u nënshtrohen disa proceseve ligjore, pas ekzaminimit të forenzikës për të siguruar prova dhe informacione të rëndësishme për procedurat gjyqësore dhe hetimin mund të vendoset nëse lejohet që përdorimi i këtyre armëve të bëhet nga Policia e Kosovës.

Kjo bëhet nëse Prokurori i Shtetit kërkon nga Gjykata që armët të përdorën nga Policia e Kosovës për qëllime të tyre, siç është sigurimi i rendit dhe ligjit.

Po ashtu, gjykata ka kompetencë për të vendosur nëse kjo kërkesë është e arsyeshme dhe të lejojë ose mos lejojë përdorimin e tyre nga autoritetet e policisë.

Nëse Gjykata konstaton fajësinë e të pandehurve dhe vendos konfiskimin e pasurive të sekuestruara, ato mund të shiten, likuidohen ose të kalojnë në pronësi të Qeverisë së Kosovës për shfrytëzim të arsyeshëm sipas rregullave dhe ligjit vendas.

Përgjithësisht, procedurat ndryshojnë varësisht nga legjislacioni dhe natyra e rastit të sekuestrimit.

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë dhe tetë janë arrestuar, ndërkaq katër prej tyre u morr vendim që të lirohen të mërkurën pasi për të njëjtit është thënë se nuk pati prova të mjaftueshme për përfshirjen e tyre në këtë rast.

Manastiri në Banjskë, Zveçan.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi edhe një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

Lista Serbe partia që ka mbështetjen e Beogradit e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore