Shqipëria

Ranucci tregon pse nuk u transmetua pjesa e dytë e ‘Report’ për Shqipërinë


Sigfrido Ranucci, drejtuesi i emisionit “Report” në Rai 3, i cili publikoi një javë më parë një dokumentar ku shpalosej një qasje se Shqipëria është një shtet i kapur nga mafia dhe ku zyrtarë të lartë janë përfshirë në akte korruptive, ka treguar se pse pavarësisht njoftimit, emisioni nuk e ka pasur një seri të dytë për Shqipërinë të dielën e 28 prillit.

Kjo, pasi ishte lajmëruar disa herë nga Ranucci se do të pasonte episodin e parë, duke marrë parasysh edhe debatin publik në distancë, që ka pasur drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjen.

Në një koment në mediat e tija sociale, Ranucci është pyetur pikërisht mbi pse episodi nuk është transmetuar.

Ai megjithatë është përgjigjur duke thënë se një sekuencë e episodit të parë do të vijë, por pasi të arrihet një marrëveshje me kryeministrin Rama, për të qenë pjesë e emisionit me një intervistë.

“Ne do ta transmetojmë atë. Jemi në pritje të marrëveshjes për një intervistë me Ramën”, ka shkruar Ranucci si përgjigje për interesimin rreth kësaj serie.

Një ditë më parë, ishte edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ajo e cila e mbrojti publikisht kryeministrin Rama, ndaj sulmeve që pati ndaj këtij të fundit, pas transmetimit të emisionit Report.

Meloni theksoi se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u linçua vetëm sepse ndihmoi Italinë.

“Kur bëmë akordin me kryeministrin socialist shqiptar, Edi Rama, për të hapur dy qendra në Shqipëri në mënyrë që të lehtësonim atë që po ndodhte në brigjet tona, dhe për të pasur një efekt shtytës ndaj emigrantëve që arrijnë në Evropë – pasi bënë të pamundurën që të anulonin, bojkotonin akordet me Egjiptin dhe Turqinë sa i përket emigrantëve – socialistët evropianë sulmuan Edi Ramën duke kërkuar përjashtim”.

Kjo sepse, sipas saj, Rama pati kurajon të lejonte hapjen e dy qendrave dhe kishte guxuar të vihej në dispozicion të qeverisë së qendrës së djathtë për të ndihmuar Italinë.

“Në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritet evropian e linçuan, ashtu si Shërbimi Televiziv Italian”.

Meloni nuk i kurseu kritikat as për dokumentarin dhe televizionin ku ai u publikua duke thënë se e kishin organizuar në mënyrë të tillë që Shqipëria të dilte si një narkoshtet.

“Edhe Tele-Meloni, ju e dini, nuk e njihni Tele-Melonin?”, tha me ironi kryeministrja italiane.

Për këtë, ajo kërkoi të dërgonte të gjithë solidaritetin për Ramën dhe të gjithë popullin shqiptar.

Deklarata e Melonit u bë gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor.

Emisioni Report, i transmetuar të dielën e 21 prillit në kanalin publik italian Rai 3 ka ngjallur diskutime të shumta, përfshi edhe replika në distancë, për shkak të tematikës së trajtuar, ku pretendohet përfshirje e zyrtarëve të lartë shqiptarë në vepra korruptive dhe kapje e shtetit nga mafia.

Lidhur me këto, emri më i përfolur ka qenë ai i Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të cilit i jepet edhe një rol ndërmjetësi sipas dokumentarit dhe aty diskutohet për lidhje të mundshme me mafien.

Vetë Rama ka thekuar se në reportazhin e emisionit Report në Rai 3 janë thënë të pavërteta të mëdha dhe janë hedhur akuza shumë të rënda si për Shqipërinë, ashtu dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit.

Sipas kryeministrit, e gjitha kjo është bërë për të sulmuar homologen e tij italiane, por nga ana tjetër thotë se nuk e kupton se pse duhet të përdoret në mënyrë kaq të shëmtuar Shqipëria dhe Agaçi.

“Nuk shoh lidhjen midis aktivitetit dhe karrierës së një avokati penal shqiptar i cili shumë vite më parë kur nuk ishte e lehtë të ishe shqiptar në Itali, ky person në 2013-ën e la Italinë, e ka këtë praktikë për të ardhur e për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrave. Është figura numër një institucionale e admnistratës shqiptare”.

Gjatë ditës së sotme Rama pati një reagim duke replikuar drejtpërdrejt edhe me drejtuesin e emisionit, Sigfridio Ranucci dhe duke i thënë se ka ardhur koha ta mbyllë këtë faqe jo të lavdishme, të një serie “të shpifur” për Shqipërinë.

Vetë Ranucci, një ditë më parë, iu kundërpërgjigj një reagimi fillestar të Ramës mbi emisionin, duke thënë se do të ketë një seri tjetër të thelluar rreth Shqipërisë.

Në kontekst, Report trajtoi çështjen e emigrantëve dhe marrëveshjes Rama-Meloni, por përfshiu në pjesën më të madhe akuza për kapjen e shtetit shqiptar nga mafia dhe përfshirje në vepra korruptive nga zyrtarët e lartë.

Ndër emrat më të përfolur, ishte ai i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ku edhe ky i fundit i është përgjigjur emisionit, duke thënë edhe se do të ngrejë padi.

Por, Rama, me reagimin e fundit, shkon më tej dhe i këshillon drejtuesit të emisionit Report, Ranucci, që të mos vijojë me gabimet e emisionit të parë, por të mbyllë një herë e mirë këtë faqe të palavdishme, pse jo edhe duke publikuar reagimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore