Zgjedhjet në Kosovë

DnV: Gjatë fushatës zgjedhore janë neglizhuar masat kundër COVID-19


Misioni vendor në Kosovë për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim”.

Misioni vendor në Kosovë për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim”, ka diskutuar për çështjet si respektimi i masave kundër përhapjes së pandemisë, ofertat programore dhe mënyra e shpalosjes së tyre, kandidaturat dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.

DnV, bën të ditur se pavarësisht zotimit të disa subjekteve politike për shkurtim të ditëve të fushatës, kjo nuk ka ndodhur.

Sa i përket respektimit të masave anti-COVID, ato nuk u respektuan shumë në tubime.

“Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse”.

Sipas komunikatës së DnV-së, shumica dërrmuese e postimeve në rrjetet sociale ishin të sponsorizuara dhe se “transparenca për koston financiare të fushatave dixhitale mungon”.

“Platformat “Facebook” dhe “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe për ata për kuvendet komunale për plasim të informatave, shpalosje të ofertave programore, shpalosje të aktiviteteve e thirrjeve për votim”.

Konferenca e misionit vendor në Kosovë për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim”.

DnV ka vlerësuar edhe përfshirjen e grave, gjatë aktiviteteve të subjekteve politike.

“Përfshirja e grave gjatë aktiviteteve të subjekteve politike ka qenë në nivele jo të kënaqshme”.

DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore.

Ndërsa, apelon tek të gjithë qytetarët me të drejt vote që të dalin në zgjedhje.

“DnV fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dielën të dalin në zgjedhje për të votuar institucionet e tyre lokale për katër vitet e ardhshme, duke u kujdesur që votimin ta bëjnë në përputhje me masat anti-COVID”.

Masat anti-COVID’19.

E premtja e 15 tetorit, ka qenë dita e fundit e fushatave zgjedhore nga partitë politike që garojnë për Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.

Por, edhe pse jemi në një situatë pandemie ku ende virusi COVID-19 është prezent në Kosovë, partitë politike i kanë shkelur masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës kundër luftimit të pandemisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për 48 orë, në periudhën kur do të votohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore