Zgjedhjet në Kosovë

LDK: Diaspora do të mbështesë në raundin e ri Bexhet Xheladinin


Lidhja Demokratike e Kosovës- LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas vendimit të Gjykatës Supreme, që diaspora të votoj sërish për të parin e Komunës së Dragashit ka thënë se edhe në raundin e ri beson se do ta marr mbështetjen e mërgatës.

LDK ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme dhe aprovimin e ankesës së kandidatit të tyre për të parin e Dragashit, Bexhet Xheladini.

“Mërgata jonë, siç ka vendosur qartë e bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor, e në raundin e dytë me 14 nëntor, do të vendosë dhe në raundin e ri, të përsëritjeve të zgjedhjeve për votuesit me postë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ky subjekt politik konsideron se vendimi i PZAP-s, i cili aprovoi ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ishte skandaloz.

“Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme dhe aprovimin e ankesës së kandidatit tonë Dr. Bexhet Xheladini dhe të LDK-së ndaj vendimit skandaloz të PZAP-së për të deformuar vullnetin qytetar e për të vendosur fatin e zgjedhjeve lokale në tavolinë”.

Për LDK-në precedente të tilla, s’mund të lejohen në demokraci.

“Prandaj vendimi i Gjykatës Supreme mbronë sistemin zgjedhor, votën e lirë dhe vendimin e qytetarëve tanë pa dallim”, thuhet në reagimin e LDK-së në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.

LDK i ka bërë ftesë qytetarëve të Dragashit të cilët janë në diasporë që të “shprehin lirshëm dhe sërish bindshëm si në dy raundet paraprake, mbështetjen për kandidatin tonë, kryetarin e ri, Dr. Bexhet Xheladini për komunën e Dragashit”.

Sipas LDK-së vullneti dhe zëri i mërgatës nuk mund të “shuhet nga askush”, thuhet në njoftim.

Kandidati i LDK-së për Dragash, Bexhet Xheladini

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.

Kështu është bërë e ditur në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.

PZAP kishte aprovuar ankesën e kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të raundit të dytë në komunën e Dragashit, pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar të kësaj komune.

Kurse numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është një mijë e 90.

Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Numri i votuesve nga diaspora me të drejtë vote për të votuar sërish për kryetar të komunës së Dragashit është një mijë e 90”, ka deklaruar Elezi.

Në Dragash ishte përmbysur rezultati pas numërimit të votave të ardhura nga diaspora, duke nxjerr fitues kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovë (LDK), Bexhet Xheladini, i cili kishte marr gjithsej 244 vota, ndërsa kandidati i cili me votat e 14 nëntorit doli fitues, Shaban Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nga diaspora kishte arritur të marr vetëm 54 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore