Zgjedhjet në Kosovë

KQZ kërkon nga Qeveria e Kosovës të pezullojë orën policore në ditën e zgjedhjeve


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për 48 orë, në periudhën kur do të votohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Një kërkesë e tillë është bërë nga sekretariati i KQZ-së, Burim Ahmetaj.

“Të gjithë po pajtohemi që me ju drejtu Qeverisë së Kosovës me një kërkesë që me pezullu orën policore për 48 orë”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka bërë të ditur se është raportuar për 20 tubime politike zgjedhore të cilat i kanë shkelur masat anti-COVID, e që përfshijnë periudhën nga 16 shtatori deri më 11 tetor.

“Sipas raporteve që i kemi deri më tani, 20 tubime politike janë mbajtur pa i përfillur rregullat zgjedhore dhe vendimin e qeverisë për masat mbrojtës e ndaj COVID-19, kurse 896 tubime të tjera politike të miratuara nga KKZ dhe policia prej tyre 181 edhe pse janë lajmëruar, nuk janë mbajtur fare”.

Sekretariati po ashtu, ka rekomanduar që në secilin vendvotim të lejohet vetëm nga një vëzhgues me nga një subjekt politik.

“Kemi rekomandimin që të lejohet vetëm një vëzhgues nga një subjekt politik në ditën e zgjedhjeve që do të jenë të pranishëm në secilin vendvotim, dhe të njëjtin mund të ndërrohen vazhdimisht prej kërkesave të subjekteve politike, por prania duhet të jetë të njëjtën kohë vetëm nga një vëzhgues”, ka thënë Ahmetaj.

Sekretariati i KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Ndërsa, deklaroi se deri më 12 tetor KQZ ka pranuar 3 mijë e 481 pako që supozohet të jenë fletëvotime nga jashtë Kosovës.

“KQZ ka pranuar gjithsej 3 mijë e 481 pako të supozuara me fletëvotime. Do të pranohen pako me fletëvotime deri më datën 15 tetor, deri në orën 23:59”.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, menaxherët e qendrave të votimit do të kenë për detyrë t’u kërkojnë trupave zgjedhor dëshmitë e vaksinimit, testin PCR negativ apo dëshminë që e ka kaluar virusin në gjashtë muajt e fundit.

Por, një gjë e tillë nuk vlen për qytetarët e Kosovës të cilët do të jenë votues më 17 tetor.

Gjithashtu, KQZ ka bërë të ditur se personat që kanë edhe shtetësinë e Maqedonisë së Veriut do të mund të votojnë atje ku identifikimi do të bëhet në mënyrë elektronike.

Në mbledhjen e KQZ-së është bërë e ditur se janë 3 mijë e 292 votues me nevoja të veçanta.

Është finalizuar numri dhe përbërja e ekipeve mobile ku është bërë e ditur se do të jenë 194 ekipe mobile, 109 për personat me nevoja të veçantë dhe 87 për personat e infektuar me COVID-19.

Zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti, kanë filluar fushatën zgjedhore më 16 shtator e cila do të zgjasë deri më 15 tetor.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore