Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë arritur koalicion pas-zgjedhor për të qeverisur në katër vitet e ardhshme në Komunën e Kaçanikut.
Fituesi i zgjedhjeve Besim Ilazi nga PDK përmes Facebook-ut ka thënë se partner i bashkëqeverisjes së tij do të jetë AAK.
“Arrihet marrëveshja. Është arritur marrëveshja e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Kaçanik dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Për katër vitet e ardhshme AAK në Kaçanik do të jetë pjesë e qeverisjes sime lokale”.
Ilazi ka uruar që të ketë unitet të plotë në përmbushjen e objektivave qeverisëse.
“Në takimin që pata me përfaqësuesit e kësaj partie, uruam për unitet e bashkëpunim për realizimin e projekteve dhe nismave në të mirë të qytetarëve. Suksese”, ka shkruar Ilazi.
Besim Ilazi i PDK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale ka fituar me 53,90% ose 7 mijë e 373 vota kundrejt kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Raka, i cili arriti të marrë 46.1% ose 6 mijë e 304 vota.
Sa i përket Kuvendit Komunal, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur të marrë 12 mandate, LVV- 8, LDK-4, AAK-2 dhe Nisma-1 mandat.
Koalicioni PDK-AAK i arritur të premten e 26 nëntorit, arrinë të ketë shumicën në Kuvendin Komunal, me gjithsej 14 mandate nga gjithsej 27.