Lajme

12 raste të dhunës brenda 24-orëve në Kosovë


Ilustrim.

Vetëm gjatë 24 orëve në Kosovë janë raportuar 12 raste të dhunës në familje.

Të gjitha rastet janë bërë të ditura përmes raportit të Policisë së Kosovës.

Nga rastet e dhunës prin komuna e Pejës e cila për 24 orë ka shënuar tri raste të këtyre incidenteve, dy të tjera janë shënuar në Gjakovë dhe dy në Prishtinë.

Për raste të ngjashme është raportuar të kenë ndodhur edhe në Kaçanik, Shtime, Prizren, Suharekë, Pejë dhe Mitrovicë.

Të premten e 25 nëntorit kishte filluar fushata globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, pikërisht në ditën kur një grua dyshohet që u vra me sëpatë nga burri i saj në Prishtinë.

Gjatë kësaj jave krerët e shtetit kishin bërë thirrje për parandalim të dhunës.

Policia e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila kishte marrë pjesë në hapjen e kësaj fushate deklaroi se nuk duhet të ketë më tolerime për dhunuesit e as për gjyqtarët e prokurorët.

“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetët jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, kishte deklaruar Osmani.

Osmani dhunën mbi bazë gjinore e ka quajtur “pandemi”, pasi sipas saj kjo mbetet një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut.

Edhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë lansimit të protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës se ka deklaruar se eliminimi i dhunës është detyrim i secilit individ.

Kurti, bëri thirrje që viktimat e dhunës të mbrohen dhe të përkrahen institucionalisht.

“Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç, e i neve të gjithëve së bashku. Viktimave iu takon përkrahja institucionale, përkujdesje adekuate shëndetësore e psikologjike”.

Ai madje ka theksuar edhe rastet kur institucionet e drejtësisë nuk i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore