Lajme

Osmani për rastet e dhunës: S’mund të ketë më argumente për mungesë kapacitetesh


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Të premten e 25 nëntorit ka filluar fushata globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, pikërisht në ditën kur një grua dyshohet që u vra me sëpatë nga burri i saj në Prishtinë.

Kjo fushatë globale e gjeti Kosovën edhe me një viktimë tjetër të dhunës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë pjesë në hapjen e kësaj fushate deklaroi se nuk duhet të ketë më tolerime për dhunuesit e as për gjyqtarët e prokurorët.

“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetët jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani dhunën mbi bazë gjinore e ka quajtur “pandemi”, pasi sipas saj kjo mbetet një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut.

“Nuk do të pranojmë më argumente për mungesë kapacitetesh sepse përballë një emergjence nacionale siç është dhuna në baza gjinore duhet luftuar me çdo resurs e çdo kapacitet që e kemi në dispozicion”.

16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore

Kurse ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar drejtësi për rastin e vrasjes së gruas nga Prishtina.

“Nuk mund të vazhdoj fjalën time pa shprehur ngushëllimet e mija për familjen e gruas së vrarë sot në Prishtinën. Është një grua e vrarë nga bashkëshorti, edhe një rast që na tronditi të gjithëve, kjo na bën që secili prej nesh në rolet dhe përgjegjësitë që kemi të vazhdojmë punën edhe më shumë, edhe më fort që raste të tilla të mos dëgjojmë kurrë më, as edhe një më shumë. Ndërsa, prej këtu kërkojmë drejtësi edhe për gruan e vrarë sot në Prishtinë sikurse për të gjitha viktimat e tjera”, ka thënë Haxhiu.

Ajo kërkoi nga institucionet e drejtësisë që të veprojnë në ndjekjen e rasteve të dhunës.

“Institucionet ekzistojnë për qytetarët dhe janë garantues të funksionimit të një shoqërie të civilizuar. Institucionet e drejtësisë ndonëse fatkeqësisht nuk i kemi sonte këtu kanë rol esencial në jetën qytetare dhe duhet të veprojnë duke adresuar secilin rast dhe atë me seriozitet të plotë”.

Edhe, Avokati i Popullit, Naim Qelaj iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë detajet e vrasjes së gruas nga Prishtina.

“Në këtë vit ndodhën shumë raste dhunë ndaj vajzave dhe grave, shqetësuese ka qenë numri i madh i rasteve të dhunimeve seksuale të vajzave dhe atyre të mitura. Gratë dhe vajzat në Kosovë po ballafaqohen me dhunë në baza gjinore, kjo rrit përgjegjësinë institucionale për të ndryshuar këtë realitet të gjithë ne kemi përgjegjësi me vepruar në këtë gjendje të rëndë , të gjithë pa dallim”, ka thënë Qelaj.

Sipas tij, “ky tubim dhe ato që do të mbahen në ditët në vijim duhet ë ndikojnë që shoqëria dhe institucionet të reflektojnë dhe reagojnë kundër diskriminimit dhe dhunës ndaj gruas”.

Një vrasje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së premtes në Prishtinë.

Viktima, një grua 63 vjeç është vrarë nga burri 70-vjeçar, kurse i dyshuari është dorëzuar vetë në polici pasi e ka kryer aktin.

Prokuroria ka thënë se e ka ndaluar burrin, I.G., për veprën, ndërsa ka shtuar se burri 70-vjeçar e ka vrarë me sëpatë gruan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore