Kosova

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, Vuçiç: E shkeli Serbinë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë që do të mbahet javën e ardhshme, do ta marrë vesh se kush janë miqtë e Serbisë.

Kreu i shtetit serb e ka kritikuar Malin e Zi për vendimin e tij për ta mbështetur Rezolutën, por edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Të gjithë ata që nuk votojnë apo abstenojnë janë miq, do të festojmë dhe mbrojmë flamujt e tyre, do të kemi marrëdhënie korrekte me të tjerët. Serbia nuk e cenoi integritetin territorial të Malit të Zi, por Mali i Zi e shkeli Serbinë”, tha Vuçiç gjatë një interviste në mediumin serb TV Pink.

Ndryshe, Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore