Shqipëria

Zgjedhjet në PD: Voton Berisha, i qëndron deklaratës për rikthim në krye të PD-së


Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mesditën e 13 qershorit, votoi pranë selisë qendrore ngjyrë blu në zgjedhjet për kryetarin e ri të demokratëve.

Në një prononcim për mediat ai tha se i qëndron “konsistent deklaratës” për një rikthim të tij të mundshëm në krye të demokratëve.

Berisha iu bëri thirrje demokratëve që të marrin pjesë masivisht për të votuar kandidatët.

“Besoj se kjo garë nuk do ta nxjerrë të ndarë PD-në, do ta nxjerrë të bashkuar. Kandidatët i kanë shprehur pikëpamjet e tyre”.

“Kurrë mos thuaj kurrë”, tha Sali Berisha, me një nënqeshje të lehtë, kur u pyet në një emision televiziv mbrëmjen e 10 qershorit, mbi një rikthim të mundshëm të tij si kryetar i demokratëve.

Nën drejtimin e Lulzim Bashës, demokratët kanë pasur dy disfata të mëdha në zgjedhjet e përgjithshme, me humbje të ndjeshme ndaj rivalëve socialistë. Ndaj, kjo hipotezë rikthimi e Berishës si kreu i partisë, është jo vetëm e menduar, por shpesh edhe e formuluar publikisht.

Deklarata e Berishës ka ardhur fill pas shpalljes si persona non grata nga SHBA-të.

Për gazetarin dhe analistin e njohur Frrok Çupi, kjo nuk është gjë tjetër, veçse një sfidë që Berisha i bën amerikanëve, mbi shpalljen e tij non grata. Sfidë, të cilën sipas analistit, e kryejnë “njerëz që janë në fund të vajit të kandilit”.

Zgjedhjet në PD

Deri më tani ka votuar kreu aktual i Partisë Demokratike njëkohësisht dhe kandidat për rimarrjen e këtij posti, Lulzim Basha dhe kandidatët Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.

Katër janë kandidatët për kreun e PD-së. Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kanë nisur mëngjesin e kësaj dite, me fluksin e parë të anëtarësisë demokrate që i është drejtuar kutive të votimit.

Janë 75 mijë anëtarë të PD-së, të cilët kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e ri. Rezultati pritet të shpallet mëngjesin e 14 qershorit.

Shpallja non grata për Berishën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 19 maj e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA.

Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Motivacioni kryesor i bërë me dije në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, është ai i përfshirjes së Berishës në korrupsion. Këto akte lidhen me përvetësim fondesh publike. Interferimi në procese publike është gjithashtu një prej arsyeve.

Sipas deklaratës, Berisha, në kohën kur ka qenë kryeministër, ka përdorur pushtetin e tij për të pasuruar aleatët politikë dhe familjen, në kurriz të besimit që i kanë dhënë qytetarët me zgjedhjen e tij dhe qeverisë së tij.

Në përmbyllje, sipas deklaratës, SHBA-të do të vazhdojnë veprime të tilla për të luftuar aktorët korruptivë në rajon.

Përgjigja e Berishës

Berisha menjëherë pas vendimit të DASH-it ka bërë me dije se ka autorizuar avokatin e tij që të ngrejë një padi direkte për sekretarin e shtetit, Anthony Blinken, për shpifje publike, në Gjykatën e Parisit.

Në vijim, ai e ka vënë theksin te mungesa e provave, të cilat, sipas tij, Blinken duhet që t’i publikojë.

Gjithashtu, Berisha tha se Blinken “mund të mendojë se si Sekretar Shteti ai përfiton imunitet”, por sipas tij “kjo është gënjeshtër”.

“Imuniteti sot vlerësohet nga Gjykata, në mënyrë relative, çka do të thotë se Blinken është i mbrojtur nga imuniteti kur ai kryen akte normale, si përfaqësues i qeverisë së tij”, iu drejtua Blinken-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore