Shqipëria

Sali Berisha, zyrtarisht persona non grata në SHBA


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka cilësuar ish-kryeministrin dhe ish-presidentin shqiptar, Sali Berisha, si persona non-grata në SHBA. Gjithashtu, familja e Berishës është cilësuar si non grata nga Sekretari Blinken.

Në një postim në Twitter, Blinken-i shpërndau lajmin.

“Po e adresoj zyrtarisht Sali Berishën dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për t’u futur brenda SHBA-ve. Mbetemi të bashkuar në luftën kundër krimit të organizuar me partnerët tanë shqiptarë”.

Në deklaratën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është e përshkruar edhe baza ligjore në të cilën përshkruhet shpallja non grata. Tre familjarët e tjerë të familjes Berisha, të ndaluar për të hyrë në SHBA, janë bashkëshortja e tij, Liri Berisha, djali Shkëlzeni dhe vajza Argita.

Faktin e ka konfirmuar edhe Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri, nëpërmjet postimit të tyre në Twitter.

Çfarë thuhet në deklaratën e plotë të DASH-it?

Motivacioni kryesor i bërë me dije në deklaratën e DASH-it, është ai i përfshirjes së Berishës në korrupsion. Këto akte lidhen me përvetësim fondesh publike. Interferimi në procese publike është gjithashtu një prej arsyeve.

Sipas deklaratës, Berisha, në kohën kur ka qenë kryeministër, ka përdorur pushtetin e tij për të pasuruar aleatët politikë dhe familjen, në kurriz të besimit që i kanë dhënë qytetarët me zgjedhjen e tij dhe qeverisë së tij.

“Ndër të tjera, retorika e tij shfaq dëshirën për të mbrojtur veten dhe familjen, duke penguar hetimet e pavarura dhe përpjekjet kundër korrupsionit. Me këtë cilësim, ritheksoj nevojën për transparencë në institucionet demokratike në Shqipëri”, vijon deklarata.

Në përmbyllje, sipas deklaratës, SHBA-të do të vazhdojnë veprime të tilla për të luftuar aktorët korruptivë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore