Shqipëria

Kurrë mos thuaj kurrë, përveçse kur je Sali Berisha


Sali Berisha, ish-kryetar i PD-së

“Kurrë mos thuaj kurrë”, tha Sali Berisha, me një nënqeshje të lehtë, kur u pyet në një emision televiziv të mbrëmjes së 10 qershorit, mbi një rikthim të mundshëm të tij si kryetar i demokratëve.

Nën drejtimin e Lulzim Bashës, demokratët kanë pasur dy disfata të mëdha në zgjedhjet e përgjithshme, me humbje të ndjeshme ndaj rivalëve socialistë. Ndaj, kjo hipotezë rikthimi e Berishës si kreu i partisë, është jo vetëm e menduar, por shpesh edhe e formuluar publikisht.

Demokratët gjithsesi, zgjedhin kryetarin e ri më 13 qershor. Zgjedhje, në të cilat janë vënë përballë katër eksponentë demokratë.

Ndaj, në të tilla kushte, sa i mundur është ky rikthim i Berishës?

Për gazetarin dhe analistin e njohur Frrok Çupi, kjo nuk është gjë tjetër, veçse një sfidë që Berisha i bën amerikanëve, mbi shpalljen e tij non grata. Sfidë, të cilën sipas analistit, e kryejnë “njerëz që janë në fund të vajit të kandilit”.

“Berisha i kërcënon SHBA-të, duke u thënë se ai ka ushtrinë e tij këtu”, mendon Çupi. “Është një zakon i vjetër ballkanik. Madje, më shumë, një zakon shqiptar që prej vitit 1914”.

Nga ana tjetër, amerikanët sipas tij, janë ata që po ndihmojnë Shqipërinë për t’u çliruar nga të korruptuarit dhe nga njerëzit që ia kanë marrë frymën dhe kanë cenuar demokracinë.

Çupi tërëheqë një paralele ekstreme, kur përshkruan këtë manovrim të fundit të Berishës.

“Me sa duket, Berisha tenton të marrë edhe PD-në me vete, e cila do të ishte një paralele me partinë e Slobodan Millosheviçit në Serbi, kur ra, në vitin 1999”.

Por, për të parë rezultatin, duhet pritur ende. Për Çupin, një është pyetja që duhet shtruar: “Grupimi i Berishës apo grupimi euroatlantik me në krye Amerikën, kush është më i fortë?”.

Partia reformatore duhet riformatuar

Për gazetarin dhe analistin, Mentor Kikia, çështja e lidershipit politik të Sali Berishës, është e përmbyllur.

Sipas tij, Partia Demokratike është në hapin e fundit drejt procesit zgjedhor brenda saj, për kryetarin e ri. Berisha nuk i ka më energjitë e dikurshme për të drejtuar një parti.

“Pavarësisht kush zgjidhet kryetar, PD-ja do të jetë partia që do të duhet të riformatohet në epokën post-Berisha”, argumenton Kikia.

“Ndërsa, Berisha, nuk ka më asnjë shans apo mundësi vetoje në parti për shkak të moshës. Aq më pak, të një partie që tashmë ndodhet në opozitë prej tre mandatesh dhe që dëshpërimisht kërkon fitoren”.

Deklaratën e Berishës, ai e cilëson si konsum mediatik. Kjo, pasi drejtuesit e rinj në PD, do të kenë detyra më të mëdha se sa thjesht të mbledhin njerëz në mitingje.

“Ata duhet të krijojnë Partinë Demokratike post-Berisha pasi epokën e rrëzimit të komunizmit, kjo parti e ka mbyllur”.

Kjo është edhe një arsye tjetër e pamundësisë së Berishës për të qenë sërish në krye sipas Kikias. Në PD, nuk mund të bëhet më fushatë me terma dhe slogane antikomuniste. Do të duhet një parti me aspirata dhe objektiva të tjera.

Gjithsesi, siç tha edhe Berisha – “kurrë mos thuaj kurrë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore