Shqipëria

Zgjedhjet në PD: Voton Basha për “betejën për ndryshim”


Kreu aktual i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe kandidat për rimarrjen e këtij posti, Lulzim Basha, të dielën e 13 qershorit, ka votuar pranë selisë qendrore ngjyrë blu në zgjedhjet për kryetarin e ri të demokratëve.

Basha, në një deklaratë për mediat, theksoi se “beteja e PD-së ka nisur me vlerat e demokracisë”.

“Me këto vlera që na karakterizojnë e kemi nisur betejën për ndryshim. Betejën për largimin e regjimit Rama-Doshi”.

Nga ana tjetër Basha falënderoi mediat dhe të gjithë personat që po merren me procesin e zgjedhjeve për kryetar të partisë.

Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike kanë nisur mëngjesin e kësaj dite, me fluksin e parë të anëtarësisë demokrate që i është drejtuar kutive të votimit.

Ndërkaq përballë Bashës janë Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj dhe Edith Harxhi. Pritet që këta të fundit të paraqiten për të votuar rreth orës 11:00.

Kadilli dhe Shehaj, votojnë në selinë e Partisë Demokratike. Ndërsa, Harxhi voton pranë selisë së Partisë Demokratike në lagjen “Komuna e Parisit”.

Janë 75 mijë anëtarë të PD-së, të cilët kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e ri. Rezultati pritet të shpallet mëngjesin e 14 qershorit.

Kush ka të drejtë vote?

Detajet lidhur me procesin zgjedhor e ka sqaruar kryetari i komisionit për Zgjedhjet në Partinë Demokratike, Jemin Gjana.

Sipas tij, anëtarët me të drejtë vote, janë anëtarët e Forumit, Partisë që disponojnë një kartë anëtarësie dhe jo personat që janë thjesht simpatizantë të partisë.

Në 71 degë të PD-së, në pesë prej tyre do të ketë dy komisione dhe dy vendvotime. Këto janë Durrësi, Elbasani, Fieri, Kamza dhe Shkodra, pra kanë më shumë se 2 mijë e 500 anëtarë.  Ndërsa, në Tiranë  çdo degë ka një qendër votimi.

Votimi

Procedura e votimit është e thjeshtë sepse në fletën e votimit janë të shënuar katër emrat e kandidatëve. Për të zgjedhur kandidatin e preferuar mjafton një shënim në kutinë përbri emrit.

Fletët duhet të jenë të gjitha të vulosura nga kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit.

Komisionet e votimit-numërimit

Anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit të demokratëve, si dhe anëtarët aktualë të Grupit Parlamentar aktual dhe atij të ri, do të votojnë në degën Tirana 2.

Komisionet e votimit dhe të numërimit, do të përbëhet nga tre anëtarë titullarë. Këta caktohen nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës. Kandidatët kanë gjithashtu mundësi të kenë vëzhguesit e tyre në proces.

Të gjithë komisionet paraqiten në qendrat e votimit minimalisht një orë përpara fillimit të procesit. Votimi do të jetë i hapur nga ora 08:00 deri në orën 19:00.

Më pas, vijohet rregullisht me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore