Boterori 2022

Zanetti përqafon Messi-n, por nuk bën krahasime mes tij dhe Maradona-s


Legjenda e futbollit argjentinas, Javier Zanetti, nuk i pëlqen krahasimet, kështu që ai nuk do të zgjedhë një mes Lionel Mess-it dhe Diego Maradona-s, por thotë se “lojtarët më të mirë në histori janë argjentinasit”.

Zanetti iu bashkua festimeve në fushë, pas finales që Argjentina triumfoi ndaj Francës pas ekzekutimit të penalltive.

Ai festoi së bashku me djemtë e kombëtares së tij, duke përqafuar Messi-n dhe partneren e tij Antonella Roccuzzo pasi superylli i PSG-së kishte ngritur trofeun.

Zanetti foli shkurtimisht për “La Gazzetta Dello Sport” përpara se të kthehej në Itali të hënën në mëngjes.

“Është një emocion i madh që djemtë na dhanë, veçanërisht sepse e kemi pritur kaq gjatë – Ata kurorëzuan ëndrrën e miliona argjentinasve në mbarë botën”, tha Zaneti.

“Ishte një finale e mrekullueshme. Ne argjentinasit vuajtëm sepse gjithçka dukej se po shkonte mirë, por më pas Franca pati një reagim të madh. Shpëtimi i Martinez ishte vendimtar”, shtoi zëvendëspresidenti i Inter-it.

Pas fitores së Argjentinës të frymëzuar nga Leo Messi, shumë besojnë se superylli i PSG-së ka kaluar bashkëkombasin e tij, Diego Armando Maradona, duke u bërë lojtari më i mirë në histori.

Megjithatë, Zanetti refuzon të përfshihet në debatin e shumëpërfolur dhe është i lumtur që lojtarët më të mirë në histori janë të dy nga Argjentina.

“Nuk më pëlqen krahasimi, thjesht duhet të jemi të lumtur që lojtarët më të mirë në histori janë argjentinas,” tha ai.

“Messi nuk ka ndryshuar. Unë mendoj se ai është thjesht më i pjekur dhe besoj se ai ua ka transmetuar udhëheqjen e tij të gjithë djemve”, tha mes tjerash legjenda e Argjentinës.

Kujtojmë që Zanetti bëri debutimin e tij në Argjentinë në nëntor 1994 dhe shënoi pesë gola në 145 paraqitje zyrtare me ekipin e tij kombëtar.

Ai luajti në dy edicione të Kupës së Botës, në 1998 dhe 2002. Zanetti e kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij si lojtar në Itali, duke iu bashkuar Inter-it në vitin 1995 nga Banfield.

Ish-mbrojtësi ka luajtur 615 ndeshje në Serie A, duke shënuar 12 gola. Ai fitoi, mes trofeve të tjera, pesë tituj të Serie A, katër Coppa Italia dhe një Champions League. Ai doli në pension në verën e vitit 2014 duke u bërë nënkryetar i klubit në 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore