Lajme

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, ekspertët thonë se konflikti nisi nga pozicioni i viktimës


Teksa në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm po zhvillohet seanca ndaj Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ekspertët kanë rindërtuar skenën e krimit.

Sipas tyre konflikti me armë  – pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021 – nisi nga pozicioni i Pjerin Xhuvanit.

“Viktima Pjerin Xhuvani erdhi në vendngjarje i shoqëruar me persona të tjerë. Arbër Paplekaj u tërhoq, identifikoi qitësin. Grupet u shtynë me njëri-tjetrin, aty ishte dhe policia. Në trupin e viktimës faktor plotësues që mund të jetë kontaminuar nga një qitës pranë tij”.

Ekspertët kanë vendosur në dispozicion të gjykatës në rrugë elektronike aktin tekniko-balistik të kryer në vendin e krimit.

Sakaq, avokati i Paplekajt nga ana e tij ka kërkuar kohë që të shqyrtojë këtë akt.

Ndërkohë, prokurori Gent Xholi theksoi se akti është voluminoz dhe se e kishte marrë atë vetëm para gjysmë ore. “S’mund ta shqyrtoj brenda një kohe të shkurtër”, tha ai.

Gjykata nga ana tjetër ka pyetur ekspertët Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi nëse e konsiderojnë aktin të plotë.

Kësaj pyetje, eksperti Hako tha se “për pamjet filmike jemi shprehur për aq sa konstatojmë”.

Apeli vendosi që të kryhet rindërtimi, pas kërkesës së Arbër Paplekajt për rikualifikim të veprës penale: nga vrasje me dashje në vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike.

Paplekaj u dënua me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Xhuvanit.

Apeli vendosi të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.

Gjithashtu, do të kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë qe qëlluan në vendngjarje.

Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit e gjeti Elbasanin dhe gjithë Shqipërinë të tronditur, pasi pati edhe një sfond elektoral.

Gjithçka ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, ku mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan.

Katër të tjerë u plagosën në vendngjarje, ndër të cilët një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Lajmi në përditësim 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore