Lajme

Vazhdon çmenduria e ministrit serb – Pas mohimit të masakrës e quan vrarës William Walker-in


Ministrit serb, Aleksander Vulin, sikur të mos i mjaftonte marrëzia e deklaratës së të premtes kur tha se masakra e Reçaku nuk ka ekzistuar asnjëherë, ai ka vazhduar edhe të shtunën me deklarime të ngjashme.

Pasi i reagoi William Walker, ambasadori amerikan që kishte vetëdijesuar botën me gjenocidin që po ndodhte në Kosovë, pasi kishte parë nga afër çfarë kishte ngjarë në Reçaku, Vulin i është kthyer tash atij, duke e akuzuar për “gënjeshtar” dhe “fajtor për vdekje e vuajtje të panumërta”.

Vulin gjithashtu ka vazhduar duke përdorur termin ofendues “shqiptari”, kur ka folur për shqiptarët në Kosovë.

“Lobisti zyrtar i shqiptarëve të cilit shqiptarët edhe ia ngritën një monument edhe një herë i është kthyer gënjeshtrës për Reçakun dhe ka arsyetuar gjakun e fëmijëve të vrarë nga agresioni i NATO-s. Edhe një herë do të gënjejë për Reçakun si masakër e civilëve”, ka thënë Vulin.

William Walker në Reçak, pas Masakrës

Ministri fashist serb kur ka folur për filmin dokumentar që po bëjnë një produksion serb dhe po mbështetet nga qeveria, ka thënë se ai po lufton për serbët “që të mos ndjehen nesër të turpëruar para fëmijëve të tyre”.

“Kur Kurti flet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë të heshtura. Tash, kur Prishtina refuzon ta implementojë marrëveshjen për Asociacionin BE dhe SHBA vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura”, deklaroi Vulin derisa vizitonte vend-xhirimin për dokumentarin serb.

Ishin këto deklarime dhe ato për Reçakun që e kishin detyruar Walker-in të reagonte të premten.

Amerikani që në vitin 1999 ishte shef i OSBE-së në Kosovë pas deklarimeve të ministrit serb, tha se përpjekja zyrtare e Serbisë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për arsye se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviç-it. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, është shprehur Walker.

Masakra e Reçakut.

Çmendurisë së Vulinit i ka reaguar edhe departamenti i shtetit amerikan.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një deklarim të DASH-së për REL.

Albanian Post ka realizuar një intervistë me një nga të mbijetuarit e Masakrës së Reçakut.

Ramë Shabani, hapësirën e Vulin-it për të tentuar të manipulojë me të vërtetën, e sheh si mungesë të shtetit të Kosovës që vetë të bënte më shumë për dokumentin e kësaj masakre.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë ato që është dashur të dalin me dokumentar para Serbisë, por primare gjithmonë e kanë pasur sigurimin e karrigeve për vetën e tyre me mendimin që Serbia është duke fjetur sikur këta”, tha Shabani për Albanian Post.

Ai akoma i ka të freskëta të shtënat e para të armëve në këtë fshatë nga paramilitarët serbë.

“Më e 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, i kam dëgjuar të shtënat e para nga armët e zjarrit. Jemi mbledhur në shtëpia, pa mbrojtje pa asgjë, kam qenë me nënën me babanë dhe me vajzën time shtatë vjeçare, por me neve kanë qenë edhe 30 gra me fëmijë, e 29 burra kanë qenë të masakruar”.

I mbijetuari nga masakra e vitit 1999 në fshatin Reçak të Komunë së Shtimes, Ramë Shabani.

Masakra s’mund të zhbëhet

Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura Pishat, Gështenjat, Rrasa e Çallakut dhe nga Çesta përmbi Reçak.

Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë.

Masakra e Reçakut.

Banushin, pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e komshiut të tij Rashit Rashiti, dhe ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit.

Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut, u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit.

Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë.

Serbët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.

Dëshmitarët okular, Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë se “rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemtë të rinj”.

“Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat”.

Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe.

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore