Lajme

SHBA-të i reagojnë Vulinit: Mizoritë në Reçak janë të dokumentuara mirë


Departamenti i Shtetit i SHBA-ve

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vulin, ka thënë se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit dhënë për REL.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar të premten e 10 dhjetorit se Masakra e Reçakut, ishte një “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vulin.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe të instaluara në Kosovë, kishin vrarë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Vulin në të kaluarën ka mohuar disa herë Masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore