Lajme

Walker: Reçkaun po e mohojnë ata që ishin të përfshirë në masakër


William Walker duke vizituar Reçakun ne janar te vitit 1999

William Walker, një ish-diplomat amerikan, thotë se përpjekja zyrtare e Serbisë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për arsye se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

Ish-diplomati amerikan, ka thënë se masakra e Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, për të cilën kishte raportuar vet, thotë se është një ngjarje të cilën nuk mund ta mohojë apo ta modifikojë askush, raporton REL, transmeton Albanian Post.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviç-it. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, është shprehur Walker.

Sipas tij, për “rolin e rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, përgjegjës është presidenti serb.

“Ai ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekje për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Walker ishte diplomati i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat, nga ku kishte raportuar para mediave ndërkombëtare për atë se çfarë kishte ndodhur.

William Walker duke vizituar Reçakun ne janar te vitit 1999

Në atë kohë, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ai në një konferencë në Prishtinë, kishte thënë se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Ndëkaq, Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e cilësoi të premten sërish si “trillim” masakrën e Reçakut.

Pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vulin tha se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Masakra e Reçakut ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë, e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, u citua të ketë thënë Vulin, sipas Ministrisë së Brendshme serbe.

Sipas tij, serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.

“Nuk do të lejojmë më kurrë që të tjerët të shpikin të vërteta për ne, sepse e vërteta është në anën e popullit serb”, tha Vulin.

Duke e komentuar këtë deklaratë të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Walker thotë se Serbia mundohet që, përmes deklaratave të tilla, të ndërtojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

“Mendoj se ndoshta Beogradi, të paktën Qeveria atje, beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ [për masakrën e Reçakut], do t’i bëjë disa njerëz të besojnë. Dhe, në ndonjë formë, ata shpresojnë se historia mund të rishkruhet. Unë vazhdoj të them se [ngjarja] në Reçak, ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, thotë Walker.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin e mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, të cilat udhëhiqen nga presidenti Aleksandar Vuçiç, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë (RTS) janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode, të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore