Lajme

Ukraina fiton terren në Bakhmut


Ukraina ka bërë me dije se ka rimarrë terrenin në Bakhmut, një përparim i rrallë pas disa muajsh të arritjeve ruse në qytetin lindor.

Përmes një deklarate për shtyp nga Kievi, u tha se forcat e tij përparuan 2 kilometra në një javë. Rusia nga ana tjetër, njoftoi se trupat e saj ishin rigrupuar në një zonë.

Pretendimet sinjalizojnë një ndryshim të vrullit në Bakhmut – por më gjerësisht, nuk ka asnjë provë të qartë të një kundërofensive ukrainase.

Megjithatë, dy shpërthime u raportuan të premten në Luhanskun e pushtuar nga Rusia.

Imazhet e postuara në mediat sociale, të verifikuara nga media shtetërore britanike BBC, tregojnë një shtëllungë të madhe tymi të zi që ngrihet nga qyteti, i cili shtrihet rreth 90 kilometra prapa vijës së frontit në Ukrainën lindore.

Shpërthimet vijnë një ditë pasi Britania e Madhe tha se e kishte furnizuar Ukrainën me raketa lundrimi me rreze të gjatë Storm Shadow.

Zyrtarët e emëruar nga Kremlini bënë me dije po ashtu se gjashtë fëmijë në Luhansk u plagosën në një sulm me raketa së bashku me parlamentarin rus Viktor Vodolatsky. Autoritetet atje kanë fajësuar për sulmin Kievin.

Luhansku është përtej mundësive të raketave Himars, ku Ukraina është mbështetur më parë për sulme të thella kundër objektivave ruse.

Por zyrtarët e emëruar nga Rusia në rajon thanë se mendonin se raketat e prodhimit ukrainas ishin përgjegjëse, duke goditur ndërtesat administrative të dy ndërmarrjeve të zhdukura.

Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat ruse në një zonë të Bakhmutit kishin ndryshuar pozicionin e tyre për arsye strategjike.

Njësitë e grupit jugor të forcave ruse kishin marrë një pozicion më të mirë mbrojtës në zonën e Maloilinivka, diçka që merrte parasysh “kushtet e favorshme të rezervuarit të Berkhivka”.

Megjithatë, kreu i grupit mercenar Wagner të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, tha se ajo për të cilën po fliste Ministria e Mbrojtjes “për fat të keq quhet ‘ikje’ dhe jo ‘rigrupim'”.

Ndërsa beteja intensive, e përgjakshme ka vazhduar, Bakhmuti është bërë simbolikisht i rëndësishëm – megjithëse shumë ekspertë vënë në dyshim vlerën e tij taktike.

Në një postim në platformën e komunikimit Telegram, zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Malyar pretendoi se Rusia pësoi humbje të konsiderueshme të trupave pasi Ukraina fitoi 2 kilometra pa humbur asnjë pozicion.

Ndërkohë blogerët ushtarakë rusë raportuan përparime ose lëvizje të trupave ukrainase në disa zona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore