Lajme

Tërmeti në Turqi e Siri, Osmani shpallë ditë zie


Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e mërkurë të 8 shkurtit si Ditë Zie shtetërore në Kosovë, pas tërmeteve të datës 6 shkurt të këtij viti me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar.

Tërmeti shkatërrues i një magnitude prej 7.8 shkallës Rihter, i cili u pasua më tej edhe nga një tjetër lëkundje, e forcës 7.5 Rihter la mijëra persona të vdekur deri më tani dhe dhjetëra mijëra të plagosur në Turqi dhe Siri një ditë më parë.

Mu për këtë arsye Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për shkak të tërmetit vdekjeprurëse.

Ai njoftoi se flamuri do të valëvitet në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të dielën, më 12 shkurt 2023, në të gjithë vendin dhe brenda përfaqësive të huaja.

Sipas Zyrës së Presidentes vendimi do të jetë në fuqi vetëm gjatë ditës së mërkurë.

“Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidentes Osmani.

“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen”.

Gjatë ditës edhe Komuna e Mamushës – e populluar me shumicë turke – kishte vendosur të ulë në gjysmështizë flamujt e Komunës së Mamushës dhe filialeve të saj deri më 12 shkurt.

Ndryshe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bëri të ditur të hënën se kanë nisur kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacion humanitar në Turqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore