Lajme

Tahiri, Kurtit: Fajëson të tjerët për dështimet, meritat e institucioneve të pavarura ia atribuon vetës


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj shkrimit të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të arriturat në fushën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Tahiri ka kërkuar sqarim nga Kurti se cili ka qenë roli i tij në realizimin e operacioneve policore.

“Çfarë meritash ka Kurti në çështjet operacionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera, kur këto institucione janë të pavarura në hetimin dhe ndjekjen e krimit?”.

“Çfarë roli ka luajtur Qeveria Kurti në 854 operacionet policore? Për informatë, në vitin 2019 ishin realizuar 1,156 operacione policore dhe kjo ishte meritë e punës profesionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera të zbatimit të ligjit. Si atëherë, edhe sot, çdo rezultat i arritur në luftimin e krimit është meritë e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit”, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit kryeministrit, “Kurti fajëson të tjerët për dështimet e tij, ndërsa meritat e institucioneve të pavarura ia atribuon vetës”.

Ai ka thënë se ajo çka është e rëndësishme që të informohen qytetarët është numri i grupeve të organizuara kriminale në Kosovë.

“Sikur në Kosovë brenda një viti të luftoheshin 69 grupe të organizuara kriminale, i bie që ne jemi shtet i kapur nga krimi i organizuar dhe me nivelin me të lartë të krimit në Evropë. Prandaj, Kryeministri Kurti nëse dëshiron të përvetësojë merita të institucioneve të pavarura, le të na tregojë se sa grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar, pasi këto kanë rëndësi dhe jo grupet e trilluara nga qeveria”.

Madje, ai ka përmendur edhe situatën e fundit të krijuar në Veri dhe mbylljen e rrugëve.

“Kurti tha se mbylli 16 rrugë ilegale por për 19 ditë bllokoi pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët, jo vetëm që ishin në rrezik nga sulme të mundshme por i detyroi të flinin në dysheme e vetura, pa ushqim të rregullt e medikamente”.

Edhe ligjshmëria sipas tij është treguar në Veri.

“Kurti tha që ka vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës por amnistoi barrikaduesit që për 19 ditë bllokuan pjesën veriore të vendit dhe sulmuan policinë, qytetarët dhe pronën private e publike”.

“Tha që janë ndërtuar katër objekte dhe stacione policore në veri, por në fakt, këto janë objekte të improvizuara me kontejnerë”.

Ai kritika pati edhe për mospërzgjedhjen e drejtorit të Policisë.

“Që gati 5 muaj nuk e ka zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të cilën pozitë kishin aplikuar vetëm 5 kandidatë apo 3%, nga ata të cilët kishin të drejtë të aplikonin. Ky numër tejet i vogël është pikërisht rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti në punën e policisë, ndërhyrje që ka ndikuar që pjesëtarët e policisë të mos kenë besim e vullnet për të punuar me këtë qeverisje”.

Ndërsa për MPB tha se qytetarët nuk po mund të furnizohen me pasaporta e letërnjoftime për shkak të ndërhyrjeve politike të ekzekutivit.

“Sikur mos të ishin ndërhyrjet politike të Qeverisë, sot qytetarët e Republikës nuk do të kishin problem të furnizoheshin me pasaporta e dokumente personale”.

Ndryshe, për mbi 20 ditë në Veri është raportuar se ishin 16 barrikada, ato bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Forca patrulluese në Veri për 20 ditë kishte qenë KFOR-i, derisa Policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në veri për 14 ditë, derisa KFOR-i dhe EULEX-i ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore