Kosova

Sveçla: Për një ditë 29 serbë konvertuan patentë shoferët ilegalë në RKS


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 29 serbë kanë konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS, në ditën e parë të zbatimit të vendimit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Vetëm sot, 29 qytetarë janë përgjigjur pozivisht thirrjes në 9 komuna të Republikës së Kosovës. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për qytetarët tanë që pas pajisjes me patentë shoferi të Republikës sonë, të kenë mundësinë të qarkullojnë lirshëm brenda vendit tonë”, ka shkruar ai.

Teksa ka bërë të ditur se ky vendim ka ardhur pas kërkesave që kanë adresuar qytetarët serb ndaj institucioneve.

“Ky vendim vjen pas kërkesave të qytetarëve tanë nga radhët e komunitetit serb si dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së sigurisë publike dhe adresimit të kërkesave të qytetarëve. I falënderoj qytetarët për bashkëpunimin dhe bëj thirrje që të shfrytëzojnë këtë mundësi brenda afatit të ofruar”.

Ky proces për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës (RKS), do të zgjasë për 15 ditë.

Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Lajmin e kishte bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve.

“Kalimi në patentë shoferë të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin, çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”, kishte thënë ai.

Ai kishte bërë thirrje që në afat sa më të shkurtër komuniteti serb të aplikojë për të realizuar të drejtën tyre.

Ndërsa ky vendim është mirëpritur edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore