Kosova

Mbretëria e Bashkuar mirëpret vendimin që serbët të pajisen me patentë shoferë RKS: Nismë e rëndësishme për ta mbështetur integrimin


Flamuri i Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, i cili lejon serbët që t’i kthejnë patentë shoferët e tyre nga institucionet jolegale serbe në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ e ka quajtur këtë “nismë të rëndësishme” për të mbështetur integrimin.

“Mirëpresim njoftimin e Qeverisë së Kosovës që përcakton procesin praktik për konvertimin e patentë shoferëve për serbët e Kosovës”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Lajmin e kishte bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve.

“Kalimi në patentë shoferë të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin, çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”, kishte thënë ai.

Kurti, sqaroi se vendimi hyn në fuqi më datën 9 maj dhe është valid deri më datën 9 gusht të 2024-së.

Ai ka bërë thirrje që në afat sa më të shkurtër komuniteti serb të aplikojë për të realizuar të drejtën tyre.

Nga 9 maji serbët mund të pajisjen me patentë shoferë RKS

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore