Kosova

Babai i Triumf Rizës: Bandat e Sekiraqës në derë na kanë shënuar që të largohemi brenda 72 orëve nga Kosova – ose do t’iu likuidojmë


Shefqet Riza

Shefqet Riza, babai i Trumfit ka thënë se familja e tij vazhdimisht ka qenë e kërcënuar nga “bandat e Enver Sekiraqës” i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së birit të tij, por që nga 17 maji është në arrati.

“Ne kemi kërcënime të ndryshme nga banda e Sekiraqës e cila në forma të ndryshme do t’i frikësojë njerëzit. Ka raste kur në derë na kanë shënuar që të largohemi brenda 72 orëve nga Kosova, ose përndryshe do të iu likuidojmë”, tha ai në emisionin “Frontal” në T7.

“Edhe më kanë përcjellë vazhdimisht, për këtë e kam lajmëruar edhe Kryeprokurorin e Shtetit që po na përcjellin, por nuk janë marrë masa”, derisa është shprehur i habitur se si Gjykata e kishte liruar në arrest shtëpiak Sekiraqën.

“Nëpërmjet mediave u informova që është arratisur, ai ka ku arratiset nuk ka nevojë në Rusi qe ku e ka Serbinë. Kjo për ne ka qenë si me na vra edhe 10 herë djalin”, ka potencuar Shefqeti.

Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që siç ka thënë kanë mundësuar arratisjen e Enver Sekiraqës.

“Dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet në arrest shtëpiak dhe kësisoj arratiset tërësisht. Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas saj, caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mos ndryshimi i asaj mase, “është skandal i madh”.

“Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim”.

Ndryshe, Sekiraqa është i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza.

Më 17 maj, Gjykata e Apelit mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore