Kosova

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për marrëveshjen për burgjet me Danimarkën


Ilustirm

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, njoftoi ekzekutivi kosovar nëpërmjet një komunikate për shtyp të hënën.

Kosova dhe Danimarka e nënshkruan një letërpëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill të vitit 2022, dokumenti u shndërrua në traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023. Megjithatë, legjislativi kosovar dështoi ta kalojë traktatin në seancën e së enjtes.

E miratimi i traktatit për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan midis Kosovës dhe Danimarkës dështoi javën e kaluar ngase i mungoi mbështetja e shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK). Ai u mbështet vetëm prej 75 nga 80 votat e nevojshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, në bazë të marrëveshjes, në kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh, parashihet që Danimarka të huazojë rreth 300 qeli në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, shteti i Kosovës do të përfitojë mbi 200 milionë euro. Në Danimarkë u ngritën shqetësime se përkundër që shteti danez respektoi pjesën e vet të marrëveshjes, ajo nuk u respektua nga Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore