Kosova

Kurti ka dhënë dorëheqje, s’është më i interesuar për punë, thotë Abdixhiku


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdxhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje dhe nuk është i interesuar më për punë.

“Kurti ka dhënë dorëheqje, tani thotë duhet të shkojmë në zgjedhje dhe nuk e ka mendjen më për punë, angazhim dhe integrim, ai kërkon zgjedhje. Dhe si me shpërbërje të Kuvendit dhe me dorëheqje të Kurtit është vullneti i tij, sepse ne as 61 vota nuk mund t’i bëjmë”, tha Abdixhiku gjatë një interviste në emisionin “Presing” në T7.

Po ashtu, kreu i LDK-së ka folur edhe refuzimin e ftesës së kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar, derisa ka shtuar se ftesa nuk “ishte e sinqertë”.

“Përmbajtja ishte se flitej për zgjedhje, e dyta nuk ishte e vërtetë sepse në këto tri vite të Qeverisë ne si parti opozitare përkundër faktit që kemi shtruar dorën e bashkëpunimit, jemi përballë me një përbuzje dhe një propagandë të pashoq të kryeministrit dhe qeverisë”, theksoi i pari i LDK-së.

Tutje, deputeti i LDK-së ka shtuar se për çështjen e veriut dhe për situatën e sigurisë në vend do kishte pranuar të takohet me Kurtin.

“Çështjen e draft-statutit të Asociacionit, Kurti nuk e kishte parë të arsyeshme të ndajë me partitë opozitare, një dokument të tillë e kishte Vuçiçi shumë para nesh”, deklaroi Abdixhiku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore