Lajme

Studime falas për të gjithë – “Një politikë populiste e Kurtit dhe asgjë tjetër”


Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që nga 1 tetori i këtij viti, studimet në nivelin Baqellor dhe atë Mastër në Universitetet Publike të mund të realizohen pa paguar asnjë taksë.

Njohës të arsimit thonë për Albanian Post se vendimi i Albin Kurtit më shumë ka të bëjë me një politikë populiste, sesa ide e mirëfilltë për të përmirësuar diçka në arsim.

Ligjëruesi i politikave publike në Universitetin e Prishtinës, profesor Bekim Baliqi, konsideron se një vendim i tillë është marrë me gjasë pa bërë ndonjë planifikim se si do të kompensohen të hyrat për Universitet dhe se çfarë pasoja afatgjate do të ketë kjo për Arsimin e Lartë.

Baliqi për Albanian Post ka thënë se shtetet e mirëfillta bëjnë politika të tilla, por se ato planifikohen mirë në mënyrë që mos të cenohet pavarësia e Universiteteve.

“Shtetet të cilat nuk kanë pagesa për studentë, këtë e kanë planifikuar gjatë dhe e kanë zbatuar gradualisht. Flasim për shtete skandinave apo të tilla që kanë buxhet shumë të lartë për AL [Arsimi i Lartë] dhe politika fiskale që mundësojnë financim të qëndrueshëm për Universitete”.

Vendimi mund të ndikojë negativisht në cilësi thotë Baliqi.

“Nuk besoj që do të ndikoj pozitivisht, përkundrazi do të demotivojë studentët të përfundojnë me kohë studimet dhe se do të ndikojë që edhe tregu i punës në sektorët deficitarë edhe më tej të mbesin pa kapital njerëzor. Sikurse që do të vështirësoj reformat e duhura në ngritje të cilësisë”.

Bekim Baliqi-Ligjerues i Politikave Publike

Pushtetet gjithnjë kanë pasur një qasje të gabuar në raport me Arsimin e Lartë. Kjo ka ndodhur ose për shkak të mos dijes dhe ekspertizës ose për shkak të “ndërhyrjeve” të qëllimshme.

“Qasja ndaj AL nga të gjitha qeveritë e deritanishme ka qenë e gabuar, sepse kanë minuar autonominë e Universiteteve duke ndërhyrë në pothuajse të gjitha aspektet, përfshirë këtu edhe në të hyrat vetanake”.

Profesori Baliqi konsideron se me vendimi për arsimin e lartë falas është vendim për blerjen e “paqes”.

“Në plan afatgjatë kjo do të i pamundësoj AL të jetë në shërbim të zhvillimit por më shumë të blerjes së paqes sociale. Ashtu siç kanë vepruar edhe qeveritë paraprake”, ka përfunduar Profesori Bekim Baliqi.

Vendimi i kryeministrit Kurti për lirimin e studentëve nga pagesa, është parë edhe si lëvizje politike e tij nga sociologu Jeton Brajshori.

“Meqenëse vetëm se kemi hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet komunale, kjo mund të shihet edhe lëvizje politike e cila do të shërbente për promovim më të mirë të kandidatëve për kryetar komunash”.

Jeton Brajshori,Ligjerues i sociologjisë

Megjithatë, Brajshori beson se studentët që vijnë nga zona rurale do jenë përfitues të këtij ndryshimi, por njëjtë si Baliqi edhe Brajshori beson se s’do ndikojë pozitivisht në cilësinë e studimeve.

“Shumë herë kur gjërat janë falas cilësia dhe progresi ngecin për arsye se studentët duke ditur se nuk do të paguajnë atëherë edhe munden t’i neglizhojnë vitet, gjë që më herët ka ndodhur më rrallë sepse humbja e viti kërkon shpenzime shtesë”, ka thënë ai.

Nëse qeveria ka dashur të rris cilësinë në Arsimin e Lartë, ajo kishte mundur të bëhet me zvogëlimin e numrit të studentëve.

“Qeveria është dashur që të zvogëlojë numrin e studentëve në këtë mënyrë sado pak e ruan cilësinë, por nëse rritet numri i studenteve që ka tendencë me ndodhë, plus shtoja kësaj edhe lirimin nga pagesat, atëherë e ardhmja e universiteteve publike do të jetë e zymtë dhe pa cilësi”, ka përfunduar Brajshori.

Mirëpo, në vitin 2014, kur Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte marr një vendim për të përgjysmuar taksat e studimeve, ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje e cila drejtohej nga Albin Kurti ajo që akuzonte Qeverinë dhe kryeministrin për shkatërrim të cilësisë në Universitete dhe se vendimin e kishte nxjerr për fushatë zgjedhore.

Ndërsa vendimi i Kurtit për studime falas në arsimin e lartë u mor një ditë pas fillimi të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore