Stil

Stilistet kosovare të modës që po veshin ikonat e muzikës serbe


Moda nuk ka të bëjë vetëm me luksin dhe çmimet marramendëse të veshjeve të ndryshme. Moda është frymëzimi i njerëzve dhe shprehje e karakterit në mënyrë autentike përmes gardërobës.

Përtej emrave të markave dhe shkëlqimit, shumë yje televizioni, filmi e muzike, vendosin që në publik të shfaqen me veshje të cilat pos ekstravagancës krijojnë hapësirë për komente dhe kritika në varësi prej modelit, jo rrallë edhe prej markës të cilës veshja i takon.

Të paktë nuk janë as stilistët që krijimet e tyre tentojnë t’i ekspozojnë me anë të këtyre “yjeve”.

Disenjatorët nga Kosova të tillë si; Valdrin Sahiti apo Kujta & Meri e së fundmi edhe këngëtarja Albërie Hadergjonaj, kanë arritur që fustanet e tyre t’i depërtojnë te fytyrat më me nam të muzikës në botë, përfshirë këtu; këngëtaren Beyonce e rep artisten, Nicki Minaj.

Por, brenda Republikës së Kosovës operojnë edhe disenjatorë të tjerë të cilët pos “mbretëreshave ndërkombëtare”, në etiketim kanë edhe disa nga yjet e muzikës së Ballkanit, saktësisht ato të diskografisë së Serbisë.

Një ndër këta stilist është edhe kreatorja e modës nga Gjakova, Albina Dyla, e njohur për punimet e saj të veçanta të fustaneve me gurë të çmuar të qepur me dorë dhe dizajne të rralla.

Jelena Karleusa veshur nga Albina Dyla.

Fund vitin që lamë pas, stilistja kosovare kishte punuar një fustan plot shkëlqim, të shkurtër dhe me flatra që kishte ngjyrë të verdhë dhe ishte i hapur si nga poshtë, ashtu edhe në pjesën lart.

Jelena Karleusa veshur nga Albina Dyla.

Fustani i parë edhe në koleksionet e publikuara të stilistes ishte veshur edhe nga një prej këngëtareve më të famshme në gjithë Ballkanin, një emër me audiencë të gjerë mediatike – Jelena Karleusa, e cila atë e veshi për festën e vitit të ri teksa në postimin e saj në Instagram e ka etiketuar edhe Albina Dylën duke e kredituar për veshjen.

Ju mund të mos e njihni, por Jelena Karleusa, ka publikuar hite të shumta në gjuhen serbe teksa gëzon popullaritet në të gjithë Ballkanin falë personalitetit të saj kontrovers dhe indiferencës ndaj politikes.

Ajo numëron afro 2 milionë e 500 mijë ndjekës në Instagram dhe është ndër këngëtaret më të suksesshme në estradën e muzikës serbe.

Jelena Karleusa veshur nga Albina Dyla.

Gjithsesi, Dyla, fustan për Karleusen kishte krijuar edhe në vitin 2019, dhe nuk është e vetmja qe e ka bërë këtë.

Për dallim nga Albina Dyla e cila bashkëpunimet e saj me Jelena Karleusen nuk i ka edhe të shpeshta, kreatorja tjetër e modës nga Prishtina, Dona Matoshi, fustanet nga koleksionet e ndryshme të saj i ka ekspozuar dhjetëra herë në trupin e këngëtares.

Jelena Karleusa ne festa dhe fotosesione te ndryshme veshur nga Dona Matoshi.

Fustane të shkurtër e të gjatë, ngjyrë portokalli, të verdhe, të zi e blu janë vetëm disa prej veshjeve të Matoshit me të cilat këngëtarja serbe është shfaqur në festa të ndryshme dhe aktivitete televizive.

Jelena Karleusa veshur nga Dona Matoshi.

Dona Matoshi bashkëpunimin e saj me këngëtaret serbe e ka më të zgjeruar teksa pa u veshur me krijimet e saj artistike nuk ka mbetur as këngëtarja, Milica Pavlovic.

Milica Pavlovic veshur nga Dona Matoshi.

Këngëtarja serbe e rritur në zonën e Leskovacit numëron disa këngë të suksesshme që shumë shpejt u shndërruan në hite, duke rezervuar një vend të veçantë në diskografinë serbe.

Milica Pavlovic veshur nga Dona Matoshi.

Jelena Karleusa dhe Milica Pavlovic janë vetëm dy nga këngëtaret serbe të veshura me kreacione të stilisteve kosovare si Albina Dyla e Dona Matoshi.

Nga tejpërdormi është shndërruar në cliché, por arti, në këtë rast arti i dizajnit, dëshmohet vazhdimisht si një dimension ku rëndësi ka e bukura dhe jo prej nga vjen ajo.

Albanian Post ka provuar që të sigurojë intervista me disenjatoret në fjalë por që kërkesa nuk është pranuar.

Gjithsesi, falë etiketimeve në rrjetet sociale nga Karleusa dhe Pavlovic, Dyla e Matoshi kanë bërë gjiro të rrjetit me fustanet e tyre duke fituar një super marketing.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore