Lajme

S’po krahasohemi me qeverisjet e kaluara por me vetveten, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaratat duke fajësuar qeverisjet e kaluara për punët e lëna në gjysmë në të kaluarën e që tashmë nuk ka arritur t’i përfundoj as ai i ka të shpeshta, megjithatë ai thotë se asnjëherë s’krahasohen me atë që kanë bërë qeverisjet e kaluara, por krahasimin e bëjnë me punën e tyre ndër vite.

Ai në fjalimin e tij në manifestimin e “Roma Versitas Kosova”, teksa ka ndarë çmimet për kontribut jetësor të personaliteteve të komunitetit rom konsideroi se ka rritje në punësim gjatë vitit 2023.

“Nuk po krahasohemi me qeveritë e mëhershme, po krahasohemi me vetveten. 31 % ka punësim më shumë në vitin që shkoi se sa në atë 2022”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit, thuri lavda për qeverisjen e vetë dhe ato që kanë bërë në arsim ndonëse në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, pushteti u kritikua nga opozita për angazhimin e vogël që kanë bërë në këtë drejtim.

“Kemi ofruar 55 bursa veçantë për mbulimin e shpenzimeve të tjera që kanë studentët si pjesë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe asaj të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kemi themeluar grupin punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme, sepse nuk duam që asnjë vajzë apo djalë ta braktisë shkollimin”.

“Po vazhdon adresimi i rasteve të diskriminimit të raportuara përmes platformës Online Raporto Diskriminimin. Në fund të vitit të kaluar, për të dytën herë ishim nikoqir të Samitit Rajonal kundër Diskriminimit ndaj Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian”, ka thënë ai.

Ndërsa, theksoi se në vitin 2022 kishin themeluar ekipin ndërinstitucional për nxitjen e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Deri më tash kemi 18 vende pune, e dhjetëra të tjera do të shpallen në muajt në vijim. Kështu synojmë plotësimin e kuotës prej 10 për qind. Gjithashtu, në rastet e punësimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes Agjencisë së Punësimit kemi një rritje prej 31% prej vitit 2022 deri në vitin 2023”.

Në anën tjetër, më 4 prill, LDK-ja kishte kërkuar nga pushteti që t’i paraqes faktet para propagandës, duke thënë se do të nisin të prezantojnë shifra të vërteta për t’i demantuar ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore