Lajme

Spitali i përuruar nga Osmani e Kurti, pa shërbime mjekësore


Spitali i Fëmijëve, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në shtator është përuruar spitali i pediatrisë Kirurgjike “Sheikha Fatima”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Por, ky spital nuk ka ofruar as edhe një shërbim mjekësor.

Funksionalizimi i tij ende nuk dihet se kur do të ndodhë, pasi nga ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se për këtë projekt është bërë vetëm pranimi ceremonial por jo edhe aprovimi teknik.

“Kohë më parë është bërë pranimi ceremonial, ndërsa pas aprovimit teknik do të fillohet me përgatitjet për funksionalizim, përmes një plani të veprimit që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi të paraparë në këtë spital, në përputhje me infrastrukturën e tij dhe resurset njerëzore që duhet angazhuar aty”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Tutje bëhet e ditur se MSH-ja në vitin 2020 kishte themeluar mekanizmat për zbatimin e këtij spitali.

“Ministria e Shëndetësisë në vitin 2020 ka themeluar mekanizmat për zbatimin e projektit të Spitali Pediatrik donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabet, komitetin drejtues dhe njësinë për zbatimin e projektit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në përurimin e Spitalit të Fëmijëve – donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Njësia për zbatimin e projektit duhet të rekomandoj pranimin teknik dhe pastaj komiteti drejtues ta aprovoj”.

Pediatri i Klinikës së Pediatrisë, Ramush Bejiqi është shprehur se donacioni i Emiratave të Bashkuara Arabe nuk është i mjaftueshëm që ky spital të ofroj shërbimet spitalore.

“Mjetet financiare të cilat kanë qenë donacion kanë qenë aq mirë të shfrytëzuara asgjë nuk ka mbetur mangu, por nuk kanë qenë të mjaftueshme për sistemin informativ dhe komunikim në spital dhe për pajisjet kirurgjikale dhe është bërë kërkesë e re”.

“Të gjitha mjetet janë lejuar kemi marr mjete shtesë nga Emiratet Arabe për pajisjen e Klinikës me sistemin informativ dhe komunikim dhe për pajisjet për Kirurgjinë e Fëmijëve. Dhe unë shpresoj që shumë shpejt Klinika e re do të hapet dhe do jetë në shfrytëzim”, theksoi Bejiqi për KP.

Përurimi i spitalit të pediatrisë Kirurgjike “Sheikha Fatima”.

Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është thënë se për të funksionuar ky spital pediatrik me pajisje mjaftë moderne, nuk ka kuadro mjekësor.

Kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla në prononcim për Kosovapress tha se është për të ardhur keq për investimet në këtë spital.

“Kosova ka mungesë të kuadrove që mund ta ushtrojnë atë detyrë në QKUK, janë 51 anesteziologë dhe aty është Kirurgji Pediatrike, plus duhet të ketë specializime specifike me të cilat duhet me u marrë, andaj nuk është menduar mirë”.

“Nuk mundemi ne me funksionalizuar diçka për të cilin ne nuk kemi kuadro. Andaj, është për të ardhur keq, investimet janë enorme, janë shumë moderne, mirëpo kemi pak profesionistë që mund ta ushtrojnë këtë detyrë“, u shpreh Syla.

Përurimi i spitalit të pediatrisë Kirurgjike “Sheikha Fatima”

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka kërkuar që cdo pengesë për funksionalizimin e këtij spitali të eliminohet.

“Faktikisht ai është një gabim në hapa për shkak se ai spital është përuruar ende pa i plotësuar si me thënë të gjitha kriteret për funksionalizim edhe ne konsiderojmë se tani është dashur të ketë buxhet shtesë i cili është i nevojshëm për plotësimin e kushteve që aty veçse të filloj puna”.

Kodra konsideron se, “nuk është e mirë që ne të përurojmë spitale dhe të premë shirita dhe të mos mund të punojmë në to, ajo që është e nevojshme çdo mungesë e cila ekziston për funksionalizimin e atij spitali duhet të eliminohet në mënyrë që fëmijët sa më shpejt të kenë një trajtim të dinijetetshëm në atë institucion”.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, më 21 mars të vitit 2016, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së. Realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore