Lajme

Simmons raporton “për shkeljet e EULEX-it” në Kuvend


Malcolm Simmons, Ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë

Gjatë ditës së hënë, në ora 10:00, ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, do të raportojë në Kuvendin e Kosovës, përmes një video lidhje, për pretendimet e tij se ky mision ka kryer shkelje gjatë punës në Kosovë.

Më datë 3 qershor, Simmons i kishte dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një dokument prej 25 faqesh të dëshmisë së tij për skandalet e pretenduara nga ai, të kryera nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në dokumentin dëshmues, Simmons kishte treguar se ai ishte në dijeni të transferimit të dosjeve të “krimeve të luftës”, autoriteteve të Serbisë.

“Para caktimit tim si Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it, unë kam qenë në ndieni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u”.

“Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, ka shkruar Simmons.

Kurse, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka mohuar deklaratat e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, sipas së cilit ky mision u ka dorëzuar dosje të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë.

Në reagimin e EULEX-it thuhet se “deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it, në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte, të cilat pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi. Kjo sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë”.

Sipas EULEX-it, “në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione. Ata u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht”.

Gjykatësi, Malcolm Simmons, shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017, duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore