Lajme

S’dihet kur fillon mësimi në Kosovë – MASHT ende pa vendim


Ilustrim

“Qeveria është duke i shqyrtuar të gjitha opsionet. Nuk ka akoma asnjë vendim. Do të veprohet në interes të ruajtjes së shëndetit publik varësisht nga situata epidemiologjike”, kështu ka thënë Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Ndërkaq, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë për Albanian Post, se janë në pritje të vendimit të Ministrisë së Arsimit.

“Nuk kemi informacion zyrtar për shtyrje të vitit shkollor, mund të ketë qenë ide e dikujt, por ne nuk e dimë. Ajo që mund të them është se në takim me nivel komunal, ata janë shprehur të gatshëm që të fillohet viti i ri shkollor me 1 shtator”, tha Jasharaj.

Mirëpo deklaroi se, nëse institucionet shtetërore vlerësojnë se mësimi do të shtyhet, ata do ta respektojnë një vendim të tillë.

“Jemi të gatshëm që mësimi të filloj me 1 shtator, mirëpo nëse institucionet vlerësojnë që mësimi të shtyhet ne do ta respektojmë edhe këtë vendim”.

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës (KPKP) të enjten e 26 gushtti, ka kërkuar shtyrjen e fillimit të procesit mësimor me prezencë fizike.

Kryesia e KPKP-së me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se situata aktuale e përhapjes së pandemisë COVID-19 është më e rënda që nga fillimi i saj.

“Si për nga numri i infektimeve e i vdekjeve ditore, por edhe zgjerimi i prekjes nga virusi i të gjitha moshave pa përjashtim, llogaritur edhe rrezikshmërinë shtesë të variantit Delta, gjykojmë se fillimi i mësimit më 1 shtator me prezencë të plotë në shkolla është tejet i rrezikshëm dhe me potencial të lartë të pasojave në shëndetin e jetën e fëmijëve tanë por edhe gjithë familjeve”.

KPKP konsideron se dëmet mund të jenë shumë të larta kur dihet se kapacitetet trajtuese spitalore janë të limituara.

Kryesia e KPKP-së, përmes këtij shkrimi është shprehur se ende nuk konsideron se janë krijuar rrethanat e përshtatshme për fillimin e procesit mësimor me prani fizike.

Sipas këtij këshilli “mësimi është shtyrë në rrethana shumë më të lehta të pandemisë” andaj një gjë e tillë duhet të ndodh edhe tani pasi që gjendja është shumë më e rëndë.

KPKP ka kërkuar që, “nëse gjendja nuk përmirësohet dukshëm, fillimi i mësimit me prezencë fizike në shkolla të shtyhet. Shtyrja mund të jetë 1+1 javë, varësisht situatës me pandemi”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërsa, të enjten e 26 gushtit në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 18 persona të vdekur nga COVID-19 dhe dy mijë e 295 persona të infektuar.

Ky numër i i të infektuarve vjen nga 12 mijë e 406 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore