Muzikë

RTK riemëron Adrian Krastën Drejtor të Festivalit të Këngës, aspiron për pjesëmarrje në “Eurovision”


Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka njoftuar riemërimin e Adrian Krastës në postin e Drejtorit të Festivalit të Këngës në RTK.

Në njoftimin për media nga Bordi i RTK-së, thuhet se ky emërim vjen pas suksesit të madh që pati festivali i parë i këngës së RTK-së nën drejtimin e Krastës.

“Organizimi i festivalit të parë u karakterizua me shumë sfida dhe vështirësi, por me përvojën, angazhimin dhe drejtimin e drejtorit të festivalit dhe stafit të angazhuar të RTK-së, u bë e mundur që të realizohet ky projekt i madh kulturor, i cili gjeti mbështetje të madhe edhe nga Ministria e Kulturës”, thuhet në njoftim.

Më tej sipas Bordit, Festivali i vitit të kaluar, i pari i këtij lloji në Kosovë, jo vetëm që magjepsi audiencën, por la gjurmë të pashlyeshme në skenën mbarëkombëtare të muzikës, duke qenë “ngjarja më e madhe kulturore në vend”.

“Festivali u dha hapësirë artistëve të rinj që përveç përformimit në festival, këngët e tyre transmetohen edhe në të gjitha kanalet e RTK-së. Duke u mbështetur në këtë qëllim, organizim dhe përvojë, edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK premton të jetë edhe më spektakolar, duke ofruar një platformë për artistët aspirantë që të shfaqin talentin dhe krijimtarinë e tyre në një platformë garuese mbarëkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje thuhet se derisa po vazhdojnë këtë udhëtim emocionues, Bordi i RTK-së rikonfirmon përkushtimin e tij për promovimin e diversitetit kulturor, nxitjen e inovacionit artistik dhe promovimin e sferës muzikore të Kosovës.

Mediumi publik njoftoi po ashtu se do të paraqesë aplikimin e tij në EBU që kënga fituese të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Evropian të Këngës “Eurovision”.

“Ne jemi optimistë që kënga fituese e Festivalit të dytë me radhë do ta përfaqësojë Kosovën në këtë garë ndërkombëtare. Për këtë çështje është punuar në vazhdimësi nga bordi dhe menaxhmenti i RTK-së dhe është arritur të sigurohet përkrahje nga shumë vende, por në anën tjetër ka edhe pengesa të vazhdueshme për shkaqe politike nga disa vendet të cilat se njohin Kosovën”, u tha pos tjerash në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore