Përballje

Rikthehet Superliga, Prishtina dhe Drita në aksion


Rikthehet Superliga e Kosovës vetëm dy ditë pas përfundimit të javës së 15-të.

Drita do të kërkojë këndelljen pas humbjes së dytë në derbi kundër Gjilanit.

Përveç gjilanasve, në fushë zbret edhe Prishtina, që kërkon afrimin me kreun.

Dy ndeshjet e ditës së sotme fillojnë në orën 13:00.

Drita pret në Gjilan skuadrën e Dukagjinit, e cila e kishte mposhtur në fazën e parë me rezultat 2-1.

Në pesë ndeshjet e fundit, skuadra e Ardian Nuhit ka tre fitore dhe dy humbje. Dukagjini në anën tjetër ka tre barazime, një fitore dhe një humbje.

Drita ndodhet aktualisht e treta, me tre pikë më pak se kryesuesit e Gjilanit, kurse skuadra nga Istogu është në vendin e tetë, mbi Malishevën dhe Feronikelin.

Në të njëjtin orar, Prishtina udhëton te Ulpiana.

Skuadra kryeqytetse me një fitore do të barazohej përkohësisht me pikë me Llapin e vendit të  katërt.

Kampionët po kalojnë një formë relativisht të mirë, me dy fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje në pesë javët e fundit.

Edhe Ulpiana e vendit të shtatë po kalon formë të mirë, me tre fitore në pesë ndeshjet e fundit.

Skuadra e Ulpianës me një fitore eventuale do bashkohej me pikë me Drenicën e vendit të gjashtë, me nga 20.

Këto dy ndeshje mbyllin ditën e shtunë, me tre ndeshje tjera që zhvillohen nesër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore