Lajme

Rama: Kryeqyteti i gatshëm t’u dalë në ndihmë komunave të tjera të prekura nga vërshimet


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur gatishmërinë e komunës të cilën ai e udhëheq për t’u dalë në ndihmë komunave të prekura nga vërshimet.

Rama përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, tha se Prishtina i ka ardhur tashmë në ndihmë komunës së Mitrovicës.

“Ndjehem i pikëlluar të shoh vërshime në vende të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë shkaktuar dëme dhe kanë trazuar jetën e qytetarëve. Kryeqyteti ka shprehur gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë të gjitha komunave të cilat gjenden në vështirësi si pasojë e vërshimeve”.

Ai tutje ka sqaruar edhe gjendjen aktuale të Prishtinës.

“Në vendbanimet e Komunës së Prishtinës gjendja është stabile. Sektori për Siguri dhe Emergjenca i Drejtorisë së Inspekcionit të Kryeqytetit, tashmë i ka ardhur në ndihmë Komunës së Mitrovicës”.

“Në këto kohë të vështira, të qëndrojmë së bashku duke ndihmuar njëri-tjetrin”, ka shkruar Rama.

Akomodimi dhe furnizimi me ushqim janë dy kërkesat kryesore të qytetarëve të Mitrovicës dhe Skenderajt, pas vërshimeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Sipas kryetarëve të këtyre dy komunave, situata është drejt përmirësimit, ndërsa janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të evakuuar personat të cilët kanë pësuar dëme materiale.

E dëmtuar nga vërshimet ka mbetur edhe komuna e Istogut, Klina, Peja, Gjakova dhe Podujeva.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, i’u kanë dalur në ndihmë banorëve të kësaj komune.

Situatë e ngjashme ka qenë edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Aktualisht, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit, ka paralajmëruar Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK].

IHMK-ja, po ashtu, shtoi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore