Lajme

“Një natë e tmerrshme”, me “dëme milionëshe” – Hamza e Nura flasin për natën e vërshimeve në Mitrovicë e Skenderaj


Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza dhe kryetari i Skenderajit, Fadil Nura.

Akomodimi dhe furnizimi me ushqim janë dy kërkesat kryesore të qytetarëve të Mitrovicës dhe Skenderajt, pas vërshimeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Sipas kryetarëve të këtyre dy komunave, situata është drejt përmirësimit, ndërsa janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të evakuuar personat të cilët kanë pësuar dëme materiale.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, në një bisedë për Albanian Post, të enjten e vërshimeve e ka përshkuar si një “situatë të tmerrshme”.

Ndërsa, bëri të ditur se aktualisht është duke pritur që të takohet me shtabin emergjent.

“Tash situata është me e qetë, niveli i ujit në lumenjtë është ulur, dje ka qenë situatë jashtëzakonisht serioze kemi qenë të detyruar të evokojmë një numër të konsiderueshëm të familjeve. Fatbardhësisht, nuk ka viktima në njerëz, dëme material janë jashtëzakonisht të mëdha, njerëzve ju kanë dëmtuar shtëpitë me të gjitha orenditë që kanë pasur brenda, me të gjitha rezervat ushqimore”, deklaroi Hamza për AP.

“Jemi duke u marrë me këto raste, tash për pak filloj mbledhjen e shtabit emergjent, kemi shpallur gjendje emergjente dhe qëllimi ynë është që të iu qëndrojmë sa më afër njerëzve”.

Vërshimet në komunën e Mitrovicës.

Mirëpo, pasoja nga kjo situatë kanë pasur edhe bizneset.

“Përveç ekonomikeve familjarëve, kemi të dëmtuar edhe një numër të konsiderueshëm të bizneseve dhe gjithsesi kemi edhe dëme të mëdha edhe me infrastrukturë publike”.

Por, Hamza thotë se si komunë pavarësisht dëmeve kanë qenë të organizuar, prandaj edhe situata është tejkaluar pa viktima.

“Mitrovica, fatbardhësisht e ka edhe klubin e zhytësve dhe kemi pajisje dhe organet e tjera të rendit e sigurisë kanë bërë punën e vetë dhe nga shtëpitë kanë nxjerr njerëz edhe të moshuar edhe fëmijë, pra të gjitha kanë kërkuar ndihmë”.

Pos Mitrovicës, Skenderaj ishte një tjetër qytet që u zhyt në ujë, nga vërshimet e mëdha.

Pamje nga Skenderaj me ujin që ka mbuluar edhe sheshet, flasin për dëme jashtëzakonisht të mëdha.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i kontaktuar nga Albanian Post, deklaroi se tashmë janë formuar komisione për të mbuluar dëmet materiale.

Kostoja që prekin këto dëme është “me miliona”, thotë ai.

“Masat janë marrë të gjitha, kemi zhvilluar në mëngjes edhe takime me shtabin emergjent. Kemi formuar edhe komisione për ndihmë në aspektin material, ka dëme jashtëzakonisht të mëdha, pothuajse me miliona”.

Vërshimet në komunën e Skenderajit.

Kërkesat për evakuim të familjeve kanë filluar të premten, pasi gjatë të enjtes familjarët ishin evakuuar në forma të ndryshme.

“Mbrëmë, deri në orët e vona jemi njoftuar se familjet janë akomoduar tek farefisi, s’kemi pasur kërkesa dhe të afërmit, por sot në mëngjes ka kërkesa për akomodim dhe sidomos për gjëra ushqimore kështu që jemi mobilizuar me ju dal në ndihmë”.

Si Hamza, edhe Nura është i lumtur që kanë arritur të shpëtojnë pa viktima.

“Por, ajo çka është më e rëndësishme është së nuk ka pasur dëme në aspektin shëndetësorë tek njerëzit dhe të tjerat jemi duke punuar në terren që të evidentojmë nivelin e dëmeve dhe sigurisht ka kërkesa nga familjet që i kemi evakuuar për gjëra ushqimore, për akomodim për banim e kështu me radhë”.

E dëmtuar nga vërshimet ka mbetur edhe komuna e Istogut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, i’u kanë dalur në ndihmë banorëve të kësaj komune.

“Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot”.

“Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar”.

“Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se si Qeveri kanë marrë të gjitha masat për t’i ndihmuar qytetarët.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata”.

Situatë e ngjashme ka qenë edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Disa fshatrat të komunës së Zveçanit kanë mbetur pa rrymë në mëngjes, si pasojë e rrëzimit të një shtylle elektrike.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike dhe pamundësive teknike që të trajtohet uji për pije nga dy impiante, do të ketë reduktime të ujit në disa qytete të vendit, si Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas dhe Podujevë, deri në përmirësimin e kësaj situate.

Aktualisht, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit, ka paralajmëruar Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK].

IHMK-ja, po ashtu, shtoi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.

Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore