Kosova

Nagavci kërkon nga Jasharaj të jetë më i matur me deklaratat


Rrahman Jasharaj dhe Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje ndaj Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), që të jetë më e kujdesshme me deklaratat që bëjnë.

Nagavci gjatë betimit të 10 vullnetarëve të rinj të Korpusit të Paqes, ka thënë se vullneti për të bërë punë nga ana e MASHT-it nuk mungon.

“Ka shumë punë për të bërë dhe shumë vullnet, kështu edhe kryetarin e SBAShK-ut, e tjerët i kisha ftuar që me qenë të matur në deklaratat tyre. Ne i kemi takuar vazhdimisht edhe unë, edhe zëvendësministri. Takimet nuk duhet të bëhen sa për t’u mbajtur takimet, por të ketë tema të caktuara për të cilat bisedojmë dhe punojmë bashkë”, deklaroi ajo.

Gjatë së dielës kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se Nagavci është e urdhëruar nga kryeministri Albin Kurti, që të mos i takojë sindikatat.

Më 26 prill, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të premten, ka njoftuar se 1 maj do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.

Gjatë protestës, SBASHK do të parashtrojë 11 kërkesa Qeverisë së Kosovës, ku ndër të tjera edhe është ngritja e koeficientit të pagës për së paku 30 për qind.

“Kërkojmë përmirësimin e kushteve të punës në institucionet arsimore. Plotësimi i Ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave. Duam funksionalizimin e Këshillit Ekonomik Social. Kërkojmë që norma javore të jetë 18 orë si në shtetet e rajonit”, thuhej në komunikatën e SBASHK-ut.

Po ashtu, SBASHK-u gjatë protestës do të kërkojë edhe nënshkrimin e aneks Kontratës Kolektive të Arsimit, sidomos për ruajtjen e vendeve të punës si dhe respektimin e pensionistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore