Lajme

Asunta, historia e vërtetë e vajzës 12-vjeçare të vrarë nga prindërit e saj: Burri i maskuar, qetësuesit, pornografia aziatike dhe varri pa emër


Asunta Basterra ishte 12 vjeç kur u vra nga prindërit birësues në shtëpinë e saj në Teo, Spanjë.

Ishte data 21 shtator 2013 dhe për pak ditë ajo do të mbushte 13 vjeç.

Dëshmitë që burgosën nënën e saj, Rosario Poto, avokate dhe babain Alfonso Basterra, gazetare, nuk u gjetën kurrë.

Por për gjyqtarët pistat e shumta ishin të mjaftueshme për të justifikuar dënimin me 18 vite burg.

Rasti i Asunta Basterra-s është ende sot një histori plot mistere, e cila vazhdon të tronditë opinionin publik edhe pas vitesh, dhe që tashmë ka frymëzuar serialin “Asunta”, i disponueshëm në Netflix nga e premtja e 26 prillit.

Kush ishte Asunta Basterra?

E lindur më 30 shtator 2000 në Kinë, me emrin Yong Fang, ajo u bë Asunta Basterra pasi u adoptua në moshën nëntëmuajshe nga një çift spanjoll nga zona e Santiago de Compostela.

Ishte adoptimi i parë ndërkombëtar nga Galicia.

Shumë shpejt ajo bëhet një vajzë me talente të spikatura: ndjek një klasë pikture, një klasë pianoje, flet tre gjuhë, merret me balet, i pëlqen sportet dhe shkon shumë mirë në shkollë.

Mesa duket nuk ka asgjë të çuditshme në jetën e familjes Basterra.

Të dy prindërit janë njerëz të kulturuar dhe social.

Nëna Rosario Porto u rrit në një mjedis borgjez në qytetin e Santiago, duke marrë një arsim të shkëlqyer.

Vajza e një avokati dhe një profesori universiteti, ajo studioi drejtësi në Universitetin e Santiago-s, duke kaluar shumë kohë jashtë vendit.

Në vitin 1997 ajo u emërua edhe konsull i Francës, titull i trashëguar nga babai i saj dhe më pas u bë eksperte avokate në të drejtën ndërkombëtare.

Viti 2012 ishte një vit i vështirë për të: fillimisht vdekja e prindërve dhe më pas divorci me Alfonson.

Aq sa sipas disa rikonstruksioneve, ajo u shtrua edhe për disa kohë në psikiatri.

Babai Alfonso Basterra ishte një gazetar nga Bilbao i specializuar në çështjet ekonomike.

Ai kishte shkruar për shumë gazeta, duke marrë pjesë në programe radiotelevizive.

Megjithatë, pas ardhjes së Asunta-s, ai u kufizua në disa bashkëpunime, sepse e gjithë vëmendja e tij ishte për të.

Ata kalonin shumë kohë bashkë, ishte ai që e çonte në shkollë dhe në të gjitha aktivitetet jashtëshkollore.

Pas divorcit rrugët e tyre ndahen, por vetëm pak: Rosario jeton në Teo, një qytet në provincën e La Coruña, në Galicia, ndërsa babai zhvendoset pak më larg.

Që nga ai moment nisin momentet e errëta.

Një ditë, gjatë mësimeve të pianos, Asunta shfaq simptoma të përgjumjes.

Ajo u thotë mësuesve se prindërit e saj kanë filluar t’i japin pluhur të bardhë që ndonjëherë e bën të flejë deri në dy ditë, por askush nuk vendos të hetojë më tej.

Historia u konfirmua gjatë hetimeve nga dy mësues të tjerë, sipas të cilëve Asunta ishte “droguar” apo “përgjumur” gjatë mësimit të 9 korrikut.

Por jo vetëm.

Pas ca kohësh, Asunta i tha nënës së një shoqeje se një mbrëmje një burrë i maskuar i veshur me të zeza hyri në shtëpi dhe u përpoq ta mbyste.

Rosario, nëna, shkon në komisariat por nuk ngre akuza.

Asgjë më shumë nuk do të dihet për atë ngjarje, as kush ishte ai njeri dhe as pse u përpoq të vriste Asunta-n.

Dyshimet dhe historitë, megjithatë, do të çonin te babai: duket se nuk ishte prekur asnjë bravë dhe se qentë e fqinjëve – dikur lehnin me të huajt – nuk kishin bërë asnjë zhurmë atë natë.

Dita e zhdukjes

Muajt ​​kalojnë.

Më 21 shtator, nëntë ditë para ditëlindjes së Asunta-s, nëna Rosario raportoi zhdukjen e saj.

Të nesërmen dy persona e gjejnë trupin në një pyll pranë Teos, jo shumë larg shtëpisë.

Oficerët vërejnë shenja dhune dhe gjurmë të një litari portokalli.

E para që përfundoi në burg ditën e nesërme është nëna e akuzuar për vrasje për shkak të mospërputhjeve dhe kontradiktave në dëshminë e saj.

25 shtatori është radha e babait.

Gjykatësi urdhëron arrestimin e tyre.

Ato vendosen në dy qeli të veçanta, por përballë.

Disa nga dëshmitë që dy ish-bashkëshortët kanë shkëmbyer ato ditë kanë bindur gjyqtarët.

Rosario i thoshte burrit të saj: “Ti dhe lojërat e tua”.

Ai do t’i përgjigjej: “Hesht, të paktën ata po na dëgjojnë”.

Do të duhen ditë para se hetuesit të arrijnë të futen në kompjuterin e babait.

Dhe kur e bëjnë këtë, ata gjejnë rreth 600 mijë dokumente të fshira profesionalisht, për të cilat ata frikësohen se mund të lidhen me materiale të tjera të gjetura në pajisjet e Alfonso-s, si pornografi me aktore aziatike dhe, mbi të gjitha, foto intime të Asunta-s.

Në shtëpi, megjithatë, diçka tjetër tërheq vëmendjen: gjendet i njëjti litar portokalli që ishte pranë trupit të vajzës, si dhe një leckë e lagur me gjurmë të ADN-së së Asunta-s.

Nëna tha se kishte muaj që ndodhej aty, ndërsa sipas autopsisë shkak i vdekjes së vajzës ishte asfiksia.

Për më tepër, në gjakun e Asunta-s u gjetën gjurmë të Lorazepam-it, një anksiolitik me veti qetësuese që babai i saj e kishte blerë disa herë në farmaci.

Pse u vra Asunta?

Ja çfarë ka ndodhur atë mbrëmje, sipas hetuesve: Asunta ka darkuar në shtëpinë e babait të saj me të dy prindërit, të cilët i kanë vënë paraprakisht në ushqim doza të mëdha Lorazepam (në disa artikuj flitet për të paktën 27 tableta).

Aq sa për ta trullosur Asunta-n që nëna e saj e kthen në shtëpinë e Teos.

Këtu Rosario i lidh duart dhe këmbët vajzës së saj dhe më pas e mbyt atë.

Ka hipoteza të ndryshme lidhur me motivin.

E para është se të dy donin të merrnin në pronësi trashëgiminë e lënë nga prindërit e Rosarios tek mbesa e tyre.

Një tjetër do ta shihte Asunta-n si një pengesë për një martesë që ndoshta ishte më e lumtur para ardhjes së saj.

Opsioni i fundit është se bëhej fjalë për një krim seksual, sepse në bluzën e Asunta-s u gjetën gjurmë sperme nga një shtetas kolumbian me banim në Madrid.

Dënimi dhe varri i pashënuar

Në vitin 2015 vendimi erdhi: Rosario Porto dhe Alfonso Basterra u dënuan me 18 vjet për vrasje me paramendim dhe me marrëveshje të ndërsjellë, edhe pse prokuroria kishte kërkuar 20.

Të dy vazhduan të deklaroheshin të pafajshëm.

Që nga ajo ditë babai vazhdon të vuajë dënimin, duke shijuar një pushim fundjavë që prej vitit 2018, ndërsa nëna u vetëvra në burg në vitin 2020 pas tentativave të ndryshme.

Ajo u varros në një varr pa shkrim, njësoj si vajza e saj.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore