Lajme

Hoxha: Hetuesit nga policia u larguan me dëshirë, s’ka pasur presion


Gazmend Hoxha

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të premten gjatë raportimit në Komisionin për Sigurisë ndërsa ka folur për raportimet e mediave për largimin e hetuesve nga Policia e Kosovës që po trajtojnë aferat korruptive ku janë të përfshirë zyrtarët e pushtetit, ka thënë se të gjitha këto lëvizje janë bërë “me kërkesën e policëve”.

Kryetari Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, të premten tha se të gjithë hetuesit që po hetojnë aferat korruptive të Qeverisë së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti po largohen.

Megjithatë një gjë të tillë e ka mohuar Hoxha, duke potencuar se asnjë policë e as eprorë nuk është larguar nga kjo njësi “pa kërkesën dhe vullnetin e tyre”.

“Nga njësia e veçantë e hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo eprori jashtë njësisë, përveç major Shemsi Haziri, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qëllim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia si drejtor i ri i policisë”, ka thënë ai.

Hoxha ndër të tjera ka potencuar se ata nuk i janë nënshtruar asnjë presioni.

“Jo s’ka pasur presion. Shumica e kërkesave ka qenë për nevojat e tyre personale”.

Hoxha ka njoftuar se hetuesit policor po sistemohen, meqë njësia nga 30 policë ka rënë në 27 pas strukturës së re.

“Struktura e Njësisë ka pasur 30 policë, me strukturën e re dhe është paraparë tash të ketë 27 policë. E tash ne kemi obligim që nga këta 30, t’i sistemojmë dhe janë bërë disa reforma brenda njësisë. Disa grada janë rritur në pozicione që kanë pasur, të tjerët janë zvogëluar. Kosova është e vogël me nda në territore, nuk e di sa veta janë prej Drenasit në Njësi”.

I pyetur se a ka pasur ndikim parti në pushtet në lëvizjen e hetuesve policorë, Hoxha ka mohuar një gjë të tillë në mënyrë kategorike.

“Unë dhe kolegët e mi nuk jemi viktimë e askujt. Asnjë lëvizje nuk bëhet me preferenca politike. Asnjë njeri nuk do të dëmtohet pse i përkon një lokaliteti të caktuar apo pse dikush nga një parti politike kërkon. Çdo ndryshim bëhet në bazë të vlerësimit të perfomancës. Nuk merrem me emra kush hetohet, jam atje me kriju kushte secilit dhe ambient të përshtatshëm”.

Albanian Post në korrik të vitit të kaluar kishte raportuar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda Policisë së Kosovës, ekipi që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Albanian Post kishte kuptuar se shkarkimi i Hazirit lidhet pikërisht me hetimet e tij ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

AP gjithashtu kisthe kuptuar se shkarkimi kishte ardhur nga niveli politik i udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i ekipit që udhëhiqte hetimet ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit

Ndërkohë Nacionale.com kishte raportuar se përveç Sehmsi Hazirit edhe hetuesit e tjerë që po i trajtojnë afera të korrupsionit brenda Qeverisë së Kosovës janë në prag të largimit përfundimtar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës.

Nacionale kishte mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës.

Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia.

Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi.

Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zëvendësministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët.

Të gjithë këta zyrtarë, sipas Nacionale, janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore