Shqipëria

Rama apel për regjistrimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Maqeodninë e Veriut, të regjistrohen në censusin e popullsisë në shtetin fqinj.

“Politika ju ndan edhe juve, por kjo nuk duhet t’ju pengojë të shihni identitetin tuaj dhe një kauzë mbi çdo kauzë. Sot, është një nga ato momente kur askush, nuk duhet të mungojë në regjistrimin e ri të popullsisë”.

Sipas Ramës, nga ky regjistrim do të varet fuqia e mëtejshme kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mbi vendimmarrjet e fqinjve, gjithashtu.

Kryeministri ka inkurajuar çdo shqiptar që të ndihet krenar në këtë regjistrim, i cili sipas tij, më parë “është penguar nga ata që nuk donin t’i numëronin”.

“Shkruani emrin tuaj. Emrin e nënës dhe babës tuaj, që ju dhanë identitet shqiptar. Ne kemi një defekt të madh: nuk vlerësojmë gjërat e vogla. Duke menduar për fitore të mëdha, harrojmë beteja të vogla. Nëse humbim këtë betejë sot, nesër kostoja për të gjithë shqiptarët në Maqedoni, do të jetë shumë e madhe”.

Në përmbyllje, Rama ka pasqyruar përpara ekranit edhe adresën ku duhet kryer regjistrimi.

“Duhen vetëm pesë minuta. Nuk ju kërkohet as të merrni pushkën, as lopatën. Vetëm të qëndroni pesë minuta përpara ekranit të kompjuterit. Regjistrohuni me krenari si qytetarët shqiptarë”, përmbylli kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore