Kosova

Qeveria ndan edhe 5.4 milionë euro për subvencionim të energjisë


Qeveria e Kosovës

Në mbledhjen e së martës Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe 5.4 milionë euro për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka sqaruar se subvencionimi i tarifave po bëhet në mënyrë që ato të mos rriten në mënyrë të pakontrollueshme.

“Ky propozim vendim ka të bëjë me ndarjen në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë e që Përbën hapin e radhës drejt përmbushjes së zotimit tonë për të ndarë 100 milionë euro për subvencionim të tarifave të energjisë elektrike e që ato të mos rriten në mënyrë të pakontrollueshme”, tha Murati.

“Ndarja e radhës është në kuadër të ndarjes fillestare prej 60 milionë euro 5,4 milionë euro në mënyrë që të mbulohet subvencionimi i deritanishëm sipas modaliteteve nga Ministria e Ekonomisë”.

Në mbledhje është miratuar edhe ndarje buxhetore në kuadër të Pakos së Përballje me Inflacionin për ata që nuk i kanë marrë ende shtesat.

“Bëhet fjalë për masat qoftë për mbështetjen e sektorit publik dhe studenteve qe nuk kanë marrë shtesat. Ndahen 5.8 milionë euro për këto masa mbështetëse”.

Gjatë mbledhjes është miratuar edhe blerja e objektit të ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky propozim para deputetëve është paraqitur nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, por që kërkesa është bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Në kuadër të ndarjes ka qenë e paraparë edhe blerja e objekteve të ambasadave, meqenëse aty tashmë ka një pjesë dhe nevojitet edhe një ndarje shtesë ne kemi pranuar si kërkesë pra fillimisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.

Ndryshe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte prezantuar më 6 tetor masat për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë për qytetarët, prej të cilave pretendohet se do t’ia kursejnë shtetit mbi 12 milionë euro për dimrin që po vjen.

Sipas saj, vlera e subvencionit do ta kapë shumën prej 6 milionë eurosh.

Njëri nga zotimet e Qeverisë së Kosovës kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike ishte se do të ofrojë 100 milionë euro për të subvencionuar mbulimin e një pjese të kostos për të gjithë konsumatorët.

47 milionë euro ishin ndarë për periudhën shkurt-gusht 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore